“Jam gati të vras për ju, zoti President”. Kjo është anekdota që Donald Trump e ka treguar disa herë, edhe pse, si gjithnjë me rrëfimet presidenciale, detajet ndryshojnë herë pas here: gjenerali Caine mbante ose jo një kapele të kuqe “Make America Great Again” (duke shpërfillur rregullat për apoliticitetin e ushtrisë); tha se ISIS-i mund të asgjësohej brenda një jave apo katër javësh (por jo vite, siç pretendonin burokratët e Pentagonit); dhe vetë fraza e rëndë për të qenë “gati të vrasë për komandantin e përgjithshëm” është vënë në dyshim nga disa.
Por ajo që dihet me siguri është se kur Trump, në mandatin e tij të parë, vizitoi një bazë amerikane në Irak dhe takoi gjeneralin e trupave tokësore që u prezantua si “Razin Caine”, një nofkë pilotësh në vend të emrit të tij të lindjes, ai mbeti i mahnitur. Aq sa e zgjodhi atë, në mënyrë të pazakontë, si Shefin e ri të Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë, pasi kishte larguar në mënyrë brutale Charles Q. Brown Jr., një gjeneral afrikano-amerikan dhe i afërt me administratën Biden, të cilin Trump e quajti “ëoke” dhe të majtë për qëndrimet e tij mbi barazinë gjinore.
Kështu, për herë të parë në historinë amerikane, Shefi i Shtabit të Përbashkët u emërua përmes një përjashtimi të miratuar nga presidenti, pasi Caine nuk plotësonte kriteret teknike për një ngritje të tillë në detyrë.
Por Trump donte një besnik absolut, të përputhshëm politikisht, alergjik ndaj procedurave, dhe e arriti – edhe pse votimi në Senat ishte i diskutueshëm: 60 pro, 25 kundër, 15 mungesa (për shkak të pushimeve të Pashkëve dhe atyre hebraike), dhe 15 demokratë centristë që votuan me republikanët.
Normalisht, një pozicion kaq jetik në funksionimin e shtetit kërkon ose unanimitet ose të paktën 90 vota nga 100, por vetëm nofka “Caine” ishte një sinjal sfide ndaj rregullave.
“Raising Cain”, në zhargonin amerikan do të thotë “të shkaktosh rrëmujë”, dhe ngjashmëria fonetike me “Razin Caine” është e qartë: fjala “to raze” do të thotë “të rrëzosh deri në themel”. Ai ishte ithtar i kaosit si pilot i F-16, dhe mbetet i tillë edhe sot.
Në moshën 56-vjeçare, me diplomë në Ekonomi nga Virginia Military Institute në vitin 1990 dhe emërim si nëntoger në programin e Forcave Ajrore Rezervë, Caine u stërvit në programin e përbashkët të NATO-s për pilotët e avionëve luftarakë në bazën ajrore Sheppard, Teksas, aty mori edhe nofkën e tij.
Më pas iu bashkua Gardës Kombëtare Ajrore të Nju Jorkut si pilot F-16. Ka mbi 2800 orë fluturimi, prej të cilave 150 në misione luftarake. Ka shërbyer në dy misione në Irak, duke hartuar veçanërisht një plan për neutralizimin e raketave Scud gjatë pushtimit të vitit 2003.
Ka qenë shef armësh i njësisë 410 Air Expeditionary Wing dhe zëvendëskomandant i Komandës për Operacione Speciale të Përbashkëta (2016–2018), ndërsa para daljes në pension në dhjetor 2024 ka mbajtur postin e drejtorit të asociuar për çështje ushtarake në CIA.






