Tensionet në Lindjen e Mesme po rriten ndjeshëm, ndërsa burime të afërta me zhvillimet kanë pohuar për mediat amerikane se Izraeli po përgatitet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, i cili mund të realizohet brenda pak ditësh.
NBC News ka raportuar se operacioni mund të kryhet edhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët amerikanë janë vendosur në gjendje të shtuar gatishmërie. Departamenti i Shtetit ka urdhëruar largimin e personelit diplomatik jo thelbësor nga disa rajone të Lindjes së Mesme, për shkak të rrezikut të mundshëm nga përshkallëzimi i konfliktit. Ndërkohë, bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit pritet të rifillojnë më 15 qershor në Oman.
Sipas New York Times, autoritetet izraelite po zhvillojnë përgatitje intensive, por nuk kanë bërë publike detaje mbi shtrirjen ose objektivat e mundshëm të operacionit.
Nga ana tjetër, burime iraniane kanë njoftuar se Teherani, në koordinim me komandën ushtarake, ka filluar hartimin e një plani hakmarrjeje në rast sulmi, që përfshin përdorimin e qindra raketave balistike kundër objektivave izraelite.
Ndërkohë, Marina Amerikane ka bërë të ditur se aeroplanmbajtësja “USS Carl Vinson” do të mbetet në Detin Arabik, duke ruajtur pozicionin strategjik në rajon.






