Analisti politik Ismet Haziri vlerëson se rikthimi i mundshëm i Vjosa Osmani në garën politike mund të sjellë një balancë të re në skenën politike të Kosovës.
Sipas Hazirit, Kosova po kalon një periudhë të gjatë krize politike dhe zgjedhore, ku proceset e përsëritura nuk kanë arritur të prodhojnë stabilitet institucional. Ai thekson se edhe kur Lëvizja Vetëvendosje kishte fuqi të madhe politike, u dëshmua se sistemi kushtetues i vendit kërkon bashkëpunim dhe konsensus më të gjerë ndërmjet partive politike.
“Fryma dhe germa e Kushtetutës janë ndërtuar mbi përfshirjen politike, ku qeverisja duhet të funksionojë me partneritet ndërmjet shumicës dhe subjekteve tjera politike, duke ruajtur edhe një opozitë të fortë e respektabile”, ka deklaruar Haziri.
Ai shton se largimi i disa figurave nga lista e VV-së dhe rikthimi i mundshëm i Osmanit në politikë po krijojnë një situatë të re politike në vend. Sipas tij, zgjedhjet e 7 qershorit pritet të sjellin një rezultat më të balancuar, ku partitë do të detyrohen të bashkëqeverisin.
Haziri vlerëson se një zhvillim i tillë do të ishte pozitiv për Kosovën dhe qytetarët e saj, pasi do të sillte më shumë stabilitet institucional, kulturë kompromisi dhe një ekuilibër më demokratik në vend.









