Ish-kryeministri i dhunshëm i Kosovës, i vendosur në këtë post nga krimineli i luftës Sllobodan Millosheviq, aktualisht drejtor i Postës së Serbisë, Zoran Anxhellkoviq, ka pretenduar sot se kolona prej pesë automjetesh të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), e cila kaloi dje nëpër rrugët e Mitrovicës së Veriut, “përbën një provokim tjetër të radhës nga Prishtina dhe një incident të qëllimshëm”, duke vazhduar se “NATO duhet të reagojë dhe të japë një mesazh të qartë se gjëra të tilla nuk duhet të përsëriten”.
“Mendoja se ata kanë lindur në Kosovë, por tani po duket sikur kanë lindur diku në Azi apo Afrikë dhe nuk e njohin terrenin dhe rrugët e Kosovës, ndaj kanë humbur rrugën. Nuk ka asnjë lloj humbjeje të rastësishme apo rrugë të gabuar, ky ishte një incident i qëllimshëm”, ka deklaruar ai për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug.
Anxhellkoviqi gjithashtu ka pretenduar se “pas dështimit të Vetëvendosjes dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në zgjedhjet lokale dhe “fitores madhështore” të Listës Serbe në këto zgjedhje, synimi ishte të shkaktohej një provokim tjetër për të parë se si do të reagonin Lista Serbe dhe KFOR-i ndaj këtij devijimi dhe rruge të gabuar”.
Ai këtë e ka cilësuar si “një provokim që synon të tregojë se nuk ka rrugë apo hapësirë ku FSK nuk mund të lëvizë, me qëllim që të shihet nëse do të kishte një reagim “të butë apo të ashpër” nga komuniteti serb, duke u arsyetuar se e kishin humbur rrugën”.
I pyetur se kush mund dhe duhet të zhvillojë hetime për këtë rast, ai tha se këtë duhet ta bëjë KFOR-i, sepse ai ka garantuar që FSK nuk do të shkojë dhe nuk mund të hyjë në veri të Kosovës pa pëlqimin e tyre.
“KFOR-i ka reaguar, siç po shoh, dhe ka pranuar si falje atë që tha FSK. Mendoj se as njëra e as tjetra nuk janë plotësisht të sinqerta. FSK e dinte paraprakisht se çfarë do të thoshte, dikush në KFOR po ashtu e dinte se këta do ta bënin këtë. Nëse nuk ka një reagim më të ashpër nga KFOR-i për incidente të tilla, nesër mund të gabojnë jo një, por dy rrugë”, ankohet ky shërbëtor i vogël i Millosheviqit.









