Diego Armando Maradona mund të kishte mbijetuar nëse do të kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor në kohë. Kjo ishte deklarata e ish-mjekut të tij gjatë rigjykimit që po zhvillohet për të zbardhur rrethanat e vdekjes së ikonës së futbollit botëror.
Sipas Dr. Mario Shiter, përdorimi i një diuretiku bazik mund të kishte përmirësuar ndjeshëm gjendjen shëndetësore të Maradonës brenda 48 orëve. Deklarata e tij ka ngritur pikëpyetje të reja mbi kujdesin mjekësor që ish-futbollisti mori në ditët e fundit të jetës, raportojnë mediat ndërkombëtare, mes tyre edhe “The Sun”.
Maradona ndërroi jetë në vitin 2020, në moshën 60-vjeçare, si pasojë e një infarkti në zemër. Vdekja erdhi vetëm pak javë pasi ai ishte operuar në tru për heqjen e një mpiksjeje gjaku.
Gjatë seancave gjyqësore në San Isidro, pranë Buenos Airesit, janë paraqitur dëshmi të shumta mbi gjendjen e rënduar shëndetësore të ish-kapitenit të Argjentinës. Mjeku Karlos Kasineli deklaroi para trupit gjykues se Maradona kishte “ujë kudo”, duke iu referuar grumbullimit të lëngjeve në organizëm.
Edhe kardiologu Oskar Franko ka dhënë dëshmi kritike ndaj mënyrës së menaxhimit të trajtimit. Ai tha se kishte rekomanduar ekzaminime më të detajuara për të përjashtuar probleme serioze me arteriet koronare, por sipas tij, mjeku kryesor i Maradonës, Leopoldo Luke, kishte refuzuar kryerjen e tyre.
Aktualisht, shtatë profesionistë të shëndetësisë po përballen me akuza për neglizhencë në trajtimin e Maradonës, ndërsa një tjetër do të gjykohet në një proces të ndarë. Të gjithë të akuzuarit kanë mohuar përgjegjësinë.
Rigjykimi është rihapur pas një problemi procedural të lidhur me realizimin e një dokumentari të paautorizuar gjatë procesit të parë gjyqësor. Në total pritet të dëshmojnë rreth 100 persona.
Hetimet vazhdojnë, ndërsa dëshmitë e deritanishme po hedhin dritë mbi trajtimin mjekësor që mori një nga figurat më të mëdha në historinë e futbollit botëror.









