Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se figura e Donald Trump si President i Shteteve të Bashkuara, mund të ndihmojë vendin për anëtarësimin e saj në NATO.
“Unë e shoh si një shans historik, me këtë Amerikë nën udhëheqjen e Trumpit, që është rikthim i lidershipit amerikan. Një Amerikë që u tregon të tjerëve që janë të pafytyrë në politikën ndërkombëtare, si rusëve, kinezëve, Iranit, ku e kanë vendin në hierarki të botës”, tha ai.
Sipas Hoxhajt, personaliteti i Trump për të shprehur atë se çfarë mendon e beson në jetën politike, e që arrin t’u tregojë vendin ndërkombëtarëve, do të mund të shërbejë në anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ish-ministri shpreh vizionin e tij se me Trump-in në krye, Kosova mund të anëtarësohet në NATO në vitin 2027.
“E shoh si një mundësi të artë që Kosova të marrë anëtarësim të plotë në NATO në vitin 2027”, u shpreh Hoxhaj.
Sakaq, nga ana tjetër, Hoxhaj shtoi se nëse Trump do të flasë me ndërkombëtarët për Kosovën, kjo e fundit duhet të përfitojë nga këto dialogje.
“Nëse presidenti amerikan bisedon me Putinin për tema ndërkombëtare, dhe amerikanët dhe rusët mund të pajtohen për temën e Kosovës, ne duhet të përfitojmë”, tha Hoxhaj.
Por për të arritur të gjitha këto, ish-ministri theksoi se është e rëndësishme që Kosova të ketë institucione.
“Prandaj, mendoj se kjo fazë do të duhej ta gjente Kosovën me institucione. Pas Rambujesë, pas Ahtisaarit, anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe një vulë euroatlantike për Kosovën, mendoj që i tërë debati nuk është relevant në raport me arritjet që do donte t’i kishte shteti i Kosovës”, tha ai.









