Një lajm i rëndë ka goditur botën e futbollit italian. Ish-mbrojtësi i njohur, Celeste Pin, është gjetur i vdekur në banesën e tij në Firence, të martën, në moshën 64-vjeçare. Lajmin e kanë konfirmuar burime nga autoritetet italiane.
Pin, i cili njihej për karrierën e gjatë me Fiorentinën, ku zhvilloi 200 ndeshje zyrtare mes viteve 1982 dhe 1991, ka lënë gjurmë të thella në historinë e këtij klubi. Ai ka qenë gjithashtu pjesë e skuadrave si Perugia, Verona dhe Siena, duke u vlerësuar si një prej figurave të rëndësishme të viteve ’80 dhe fillimit të viteve ’90 në futbollin italian.
Sipas raportimeve paraprake, trupi i tij është gjetur nga policia pasi një anëtar i familjes kishte ngritur alarmin. Nuk përjashtohet mundësia e vetëvrasjes, por autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të vdekjes.
Lajmi ka shkaktuar pikëllim të thellë në komunitetin futbollistik. Klubi i Fiorentinës ka reaguar me një mesazh prekës në rrjetet sociale, ku shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të një legjende të klubit:
“Presidenti Commisso, bashkëshortja e tij Catherine, drejtori i përgjithshëm Alessandro Ferrari, drejtori sportiv Daniele Pradè, trajneri Stefano Pioli dhe i gjithë klubi i Fiorentinës bashkohen me familjen Pin në këtë moment të dhimbshëm dhe shprehin ngushëllimet e tyre më të sinqerta për ndarjen nga jeta të Celeste.”
Karrierën profesionale, Pin e nisi me Perugian, por ishte te Fiorentina që u bë një figurë kyçe, duke qenë pjesë e ekipit që arriti në finalen e Kupës UEFA në sezonin 1989/90, përballë Juventusit.
Gjatë qëndrimit te “Viola”, ai ndau fushën me legjenda të futbollit italian si Roberto Baggio dhe trajneri aktual i Fiorentinës, Stefano Pioli.







