Ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha ka thënë se deklarata e Ramush Haradinajt, ku e cilëson Albin Kurtin “më serb se Vuçiqi”, është e rëndë.
Ai thotë se kryeministri Kurti nuk duhet t’i përgjigjet me gjuhë personale, por të fokusohet te rezultatet e qeverisjes dhe mbrojtja e interesave të Kosovës.
Nga ana tjetër, Hoxha nënvizon se nëse Haradinaj ka fakte, duhet t’i dorëzojë në institucionet e drejtësisë. Në të kundërt, retorika e tillë dëmton diskursin politik dhe figurën e tij si ish-kryeministër e veteran lufte.
Postimi i plotë:
Deklarata e ish Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinajt se “Kryeministri i Kosovës Albin Kurti për Kosovën është më serb se Vuçiqi” është një akuzë politike e rëndë, me tonalitet nxitës dhe polarizues. Në një klimë demokratike dhe institucionale, reagimet ndaj deklaratave të tilla duhet të jenë të matura, institucionale dhe në përputhje me parimet e shtetit të së drejtës.
Albin Kurti si kryeministër nuk duhet t’i përgjigjet me të njëjtin gjuhë personale apo emocionale.
Duhet të theksojë se debati politik është i mirëseardhur, por ai duhet të mbetet i bazuar në fakte dhe argumente, jo në etiketime fyese, poshtruese dhe ofenduese.
Kurti mund të zgjedhë ta anashkalojë deklaratën e Haradinajt si provokim politik dhe në vend të kësaj, të komunikojë rezultatet e qeverisjes së tij dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në raport me Serbinë.
Nëse Kryeministri Kurti e konsideron deklaratën si shpifje që dëmton reputacionin personal dhe të institucionit, mund të paraqesë padi për shpifje, ashtu si çdo qytetar apo zyrtar, por kjo duhet bërë me kujdes, që të mos perceptohet si përpjekje për të mbyllur gojën e kritikëve politikë.
Ramush Haradinaj nëse ka prova të besueshme, ka informacione të sakta dhe të dokumentuara që përputhen me deklaratën e tij, duhet t’i dorëzojë ato institucioneve të drejtësisë, e jo vetëm mediave dhe në këtë mënyrë, argumenti i tij merr seriozitet institucional, dhe nuk mbetet thjesht një fjalë politike e radhës, si fyerje, nxitëse dhe padurim!
Por, nëse është vetëm retorikë politike për konsum të brendshëm ose për të fituar poenë në opozitë, atëherë është e papërgjegjshme dhe e dëmshme për demokracinë dhe për vet Ramushin.
Këto lloj akuza dhe krahasimesh e banalizojnë diskursin politik dhe dëmtojnë kredibilitetin e pozitës që Haradinaj ka pasur si ish-kryeministër dhe si lider i luftës.
Mendoj, se këto që po i them Ramushi i dinë, e nëse i dinë nuk e kuptoj pse i bën këto gjëra, e nëse dinë diçka më shumë që e arsyetojnë një paraqitje të tillë atëherë koha do ta vërteton atë arsye!
Personalisht më dhimbet Ramushi si veteran i luftës të flet me këtë fjalor! Nëse ka fakte dhe argumente mundet më dinjitetshëm dhe bëhet më i fortë të reagon në bazë të ligjit si e përmenda më lartë, me padi pra!








