Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, ka reaguar ndaj, siç i quajti ai, përpjekjeve për njollosjen e UÇK-së dhe themeleve të shtetit të Kosovës përmes, sipas tij, një strategjie të orkestruar nga mekanizmat ruso-serbë.
Në një shkrim në Facebook, Mustafa ka theksuar se nuk mund të lejohet që e vërteta për luftën e UÇK-së të përkufizohet nga “kurthe të ndërtuara me vite” nga ky bllok antishqiptar.
“Ata kanë ndërtuar çdo hap për të njollosur UÇK-në, udhëheqësit e saj dhe vetë themelet e lirisë sonë – duke kulmuar me krijimin e një gjykate të veçantë që shumë herë duket më shumë si instrument politik sesa drejtësie,” tha ai.
Mustafa kritikoi ashpër përfshirjen në këtë strategji edhe të figurave të kompromentuara, duke përmendur me emër dëshmitarin Nazim Bllaca.
“Sot, e keqja përpiqet të reduktohet, të ripaketohen dhe të rikthehet përmes figurave të kompromentuara si Nazim Bllaca – një individ që nuk mund dhe nuk guxon të përfaqësojë as të keqen tonë, e aq më pak të vërtetën. E vërteta është ‘blloku i keq’ ruso-serb,” theksoi Mustafa.
Duke bërë thirrje për vigjilencë dhe bashkim, Mustafa paralajmëroi se lufta hibride ndaj Kosovës është e pranishme dhe nuk duhet nënvlerësuar.
“Lufta hibride është reale. Ajo zhvillohet me lajme të rreme, me përmbysje të narrativës dhe me sulme ndaj policisë, ushtrisë e drejtësisë sonë – që janë themelet e sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës. Mos e reduktoni një strategji antishtet në një të marrë! Lufta hibride ka fytyrë më të thellë se një dëshmitar i rrejshëm! Rreziku s’quhet vetëm Bllaca – por ‘Blloku i Keq’ që e lindi!”, përfundoi Mustafa.
Postimi i plotë i Rrustem Mustafës:
“Blloku i Keq” s’fillon e s’mbaron me Nazim Bllacën!
Nuk mund të lejojmë që e vërteta të përkufizohet me kurthet e ndërtuara me vite nga mekanizmat ruso-serbë. Ata kanë ndërtuar çdo hap për të njollosur UÇK-në, udhëheqësit e saj dhe vetë themelet e lirisë sonë – duke kulmuar me krijimin e një gjykate të veçantë që shumë herë duket më shumë si instrument politik sesa drejtësie.
Sot, e keqja përpiqet të reduktohet, të ripaketohen dhe të rikthehet përmes figurave të kompromentuara si Nazim Bllaca – një individ që nuk mund dhe nuk guxon të përfaqësojë as të keqen tonë, e aq ngushtë dhe aq më pak të vërtetën, e vërteta është “blloku i keq” ruso serb.
Për fat të keq, një pjesë e mediave tona ose janë të zhytura në joprofesionalizëm, ose po bien në grackën e atij “blloku të keq” ruso-serb që kërkon të destabilizojë besimin në shtet, në sektorët e sigurisë dhe në institucionet e republikës.
Vëllezër e motra, kujdes!
Lufta hibride është reale. Ajo zhvillohet me lajme të rreme, me përmbysje të narrativës, dhe me sulme ndaj policisë, ushtrisë e drejtësisë sonë – që janë themelet e sigurisë dhe rendit në Republikën e Kosovës.
Të qëndrojmë bashkë, të vëmendshëm dhe në mbrojtje të shtetit tonë.
Mos e reduktoni një strategji antishtet në një të marrë!
Lufta hibride ka fytyrë më të thellë se një dëshmitar i rrejshëm!
Rreziku s’quhet vetëm Bllaca – por “Blloku i Keq” që e lindi!






