Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare në administratën e Trumpit, John Bolton, u akuzua të enjten në një hetim federal për keqmenaxhimin e mundshëm të informacionit të klasifikuar.
Kështu tha një person i njohur me çështjen për “Associated Press”. Hetimi ndaj Bolton, i cili shërbeu për më shumë se një vit në administratën e parë të Presidentit Donald Trump para se të shkarkohej në vitin 2019, doli në publik në gusht, kur FBI-ja kreu bastisje në shtëpinë e tij në Maryland dhe në zyrën e tij në Uashington, për dokumente të klasifikuara, që ai mund t’i kishte ruajtur nga vitet e tij në qeveri.
Ekzistenca e aktakuzës u konfirmua për AP-në nga një person i njohur me çështjen, i cili nuk mund të fliste publikisht për akuzat dhe foli në kushte anonimiteti.
Agjentët gjatë bastisjes në gusht sekuestruan disa dokumente të etiketuara “të klasifikuara”, “konfidenciale” dhe “sekrete” nga zyra e Boltonit, sipas dokumenteve të gjykatës.
“Disa nga dokumentet e sekuestruara dukeshin se lidheshin me armët e shkatërrimit në masë, “komunikimin strategjik” kombëtar dhe misionin e SHBA-së në Kombet e Bashkuara”, thuhej në dokumente.
Aktakuza bën që tashmë e tutje të kemi një proces gjyqësor, që do pritet me shumë interes dhe që përqendrohet te një figurë e njohur prej kohësh në qarqet republikane të politikës së jashtme, i cili njihet për qëndrimet e tij të ashpra mbi fuqinë amerikane.
Bolton, pas largimit nga administrata e parë e Trump u bë një kritik i zëshëm dhe i dukshëm i presidentit.
Megjithëse hetimi që çoi në aktakuzë filloi para mandatit të dytë të Trump, hetimi po zhvillohet në një kohë, kur ka shqetësime të gjera se Departamenti i Drejtësisë po përdoret si mjet për të sulmuar kundërshtarët politikë të presidentit.








