Pas deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka reaguar ish-inspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Burim Ramadani.
Ai i ka cilësuar si provokime të qëllimshme ndaj Kosovës dhe NATO-s, me synim krijimin e jostabilitetit në rajon.
Sipas Ramadanit, Serbia nuk ka kapacitete reale për të nisur një luftë të re në Ballkan, pavarësisht retorikës agresive që lidhet me platformën e tyre politike “Bota Serbe”.
“Vuçiq dhe Serbia po vazhdojnë provokimet e hapura ndaj Kosovës dhe NATO-s, me qëllimin fillestar për të nxitur jostabilitet. Është e qartë se fuqia e Serbisë është krejtësisht e pamjaftueshme për të nisur luftëra të reja në Ballkan, pavarësisht që qëllimi politik i platformës “Bota Serbe” mbetet aty. Ballkani Perëndimor është nën ombrellën e sigurisë së NATO-s, duke përfshirë këtu faktin që shumica e shteteve në rajon janë anëtare të NATO-s, ndërsa Kosova mbrohet drejtpërdrejt nga NATO”, theksoi Ramadani.
Ai shton se lidershipi serb po përpiqet të ruajë gjallë ëndrrën hegjemoniste.
“Lidershipi i Serbisë synon kështu të mbajë gjallë ëndrrën hegjemoniste serbe. Serbia beson që në të ardhmen mund të ndërrojnë raportet gjeopolitike dhe që eventualisht fitorja ruse në Ukrainë do t’i sjellë Serbisë avantazh. Por, kjo as nuk duket e mundshme dhe as nuk do të lejohet të ndodh”, ka deklaruar Ramadani.









