Ish-gjenerali i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lahi Brahimaj, ka folur pas deklaratave në Hagë, të ish-komandantit të forcave të NATO-s, Wesley Clark, dhe ish-ambasadorit amerikan, Christopher Hill, lidhur me luftën e UÇK-së.
Ai ka thënë se këto deklarata janë të mirëseardhura dhe përfaqësojnë të vërtetën.
“Janë mëse të mirëseardhura. Në një gjykatë si kjo, nuk e di sa do të kenë peshë deklaratat e Clarck dhe Hillit, por kjo është e vërteta”, potencoi ai.
Brahimaj ka theksuar se reagimet ndaj këtyre deklaratave janë të pritshme..
“Fillimisht këto deklarata kanë me iu dhimbur në Serbi, zyrtarëve të Serbisë, puthadorëve të Serbisë dhe po i shoh edhe një pjesë të njerëzve këtu që po mundohen ta shtrembërojnë të vërtetën”, deklaroi ai.
Ai ka folur edhe për qëndrimin e tij ndaj UÇK-së dhe bashkëpunimit me ndërkombëtarët.
“UÇK ka qenë e pastër dhe gjithë ushtarët e UÇK-së dhe krerët e saj kanë pasur bashkëpunim me ndërkombëtarët”, u shpreh Brahimaj.
Sa i përket Gjykatës Speciale, Brahimaj ka thënë se ajo nuk është e drejtë dhe është e njëanshme.
“Kjo gjykatë është jo kreidibile dhe jo e drejtë dhe është e një anshme, nuk bëhet një gjykatë për vetëm dy persona”, tha ai,
Ai ka kujtuar se kishte votuar kundër themelimit të kësaj gjykate.
“Si deputet kam votuar kundër kësaj gjykate, dhe figurat e larta si kjo e Clark dhe të tjera, i bëjnë nderë edhe UÇK-së edhe dëshmorëve po edhe UÇK-së”, përfundoi ish-gjenerali i UÇK-së.









