Ish-diplomati amerikan: U befasova nga dënimi i rëndë i Speciales, historia s’mund të ndryshohet, të shohim procesin e apelimit

Ish-diplomati amerikan, Filip Riker, ka thënë se është befasuar nga dënimet e rënda të ish-krerëve të UÇK-së nga Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se tani duhet të pritet edhe procesi i apelimit.

Në një deklaratë pas shpalljes së aktgjykimit, Riker tha se procesi ndaj Hashim Thaçit dhe të akuzuarve të tjerë ka zgjatur për disa vite dhe se, personalisht, nuk priste dënime kaq të rënda.

“U befasova që u dha një dënim kaq i rëndë. Ky është aktgjykimi i gjykatës, i Dhomave të Specializuara, dhe tani, sigurisht, çështja do të kalojë në procesin e apelimit dhe do të shohim se cili do të jetë rezultati”, tha Riker.

Ai theksoi se, pavarësisht reagimeve të forta në rajon, është e rëndësishme të shmanget dhuna dhe të mendohet për të ardhmen e Kosovës, Serbisë dhe Ballkanit.

“Shprehja e reagimeve dhe e ndjenjës së padrejtësisë në këtë proces nuk duhet të jetë justifikim për dhunë. Kemi pasur mjaft dhunë në këtë rajon gjatë dekadave dhe shekujve. Është koha të ecim përpara drejt diçkaje më të qëndrueshme”, deklaroi ai.

Riker tha se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit kishte pikërisht synimin për të krijuar një të ardhme më të qëndrueshme për rajonin. Ai përmendi edhe angazhimin e tij të mëhershëm në këtë proces, së bashku me ish-përfaqësuesen e lartë të BE-së, Catherine Ashton.


Sipas Riker, procesi gjyqësor në Hagë lidhet me përgjegjësinë individuale dhe jo me përgjegjësi kolektive.

“Ky ishte një rast që lidhej me përgjegjësinë individuale, siç e vlerësoi gjykata. Nuk bëhet fjalë për përgjegjësi kolektive”, tha ai.

Ish-diplomati amerikan theksoi se historia dhe gjeografia e rajonit nuk mund të ndryshohen dhe se fokusi duhet të jetë në krijimin e një të ardhmeje më të sigurt dhe më të begatë për qytetarët.

Riker u bëri thirrje liderëve të të gjitha palëve që të ruajnë qetësinë dhe t’i lejojnë proceset e apelimit të zhvillohen.

“Është përgjegjësi e liderëve që të përpiqen të bëjnë thirrje për qetësi, t’i lejojnë proceset e apelimit të ecin përpara dhe, shpresoj, t’i inkurajojnë liderët nga të gjitha palët të punojnë së bashku për të gjetur zgjidhje afatgjata”, përfundoi ai.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit