Pas sulmeve izraelite në Teheran më herët sot, shumë banorë po përpiqen të largohen nga qyteti dhe të strehohen në zona më të largëta.
Dyqanet u mbyllën njëri pas tjetrit dhe u krijuan radhë të gjata në pikat e karburantit, raporton korrespondenti i BBC-së nga Irani.
Edhe pse shumë tentojnë të arratisen, shumë prej tyre as që arrijnë të largohen nga krahina për shkak të trafikut të rënduar.
“Mendoj se ende nuk e kam kuptuar plotësisht që jetoj në një zonë lufte aktive. Kjo nuk është lufta ime. Unë nuk mbështes asnjë palë, dua vetëm të mbijetoj me familjen time,” thotë një banor që arriti të largohej nga qyteti.
Agjencia iraniane e lajmeve IRNA publikoi gjithashtu një foto ajrore që tregon një kolonë të madhe makinash duke u përpjekur të largohej nga Teherani.
“Ne nuk marrim asnjë paralajmërim, ne dëgjojmë vetëm shpërthime”
“Teherani nuk është i sigurt. Nuk marrim asnjë paralajmërim apo alarm nga autoritetet. Ne dëgjojmë vetëm shpërthime dhe shpresojmë se shtëpia jonë nuk do të goditet. Por ku të shkojmë? Askund nuk është i sigurt”, tha një tjetër qytetar.








