Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë njoftuar se kanë identifikuar një valë të re raketash të lëshuara nga Irani.
Sirenat po bien në pjesë të ndryshme të vendit, kryesisht në veri dhe në Haifa. Publikut i është dhënë udhëzim të kërkojë strehim. “Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin”, tha ushtria izraelite.
Më herët shefi i shtabit të Forcave të Armatosura të Iranit u ka bërë thirrje banorëve të Haifës dhe Tel Avivit në Izrael që të evakuohen përpara asaj që ai e quajti një “operacion ndëshkues” që do të ndodhë së shpejti.
“Operacionet e kryera deri më tani kanë qenë një paralajmërim për parandalim dhe një operacion ndëshkues do të kryhet së shpejti”, tha Abdolrahim Mousavi në një video të postuar nga media shtetërore iraniane.
“Martirizimi i komandantëve, bashkatdhetarëve dhe shkencëtarëve do t’i bëjë forcat e armatosura më të vendosura për të zbatuar urdhrin ndëshkues”, shtoi ai, duke iu referuar me sa duket shkencëtarëve dhe udhëheqësve ushtarakë të shënjestruar kur Izraeli nisi sulmin e tij ndaj Iranit javën e kaluar.






