Irani ka kërcënuar me bllokimin e një korridori të planifikuar në rajonin e Kaukazit, të njohur si “Rruga e Trumpit për Paqe Ndërkombëtare dhe Prosperitet (TRIPP)”, pjesë e një marrëveshjeje të sponsorizuar nga ish-presidenti amerikan, Donald Trump, mes Azerbajxhanit dhe Armenisë.
Korridori parashihet të kalojë nëpër Armeninë jugore dhe t’i japë Azerbajxhanit qasje direkte në enklavën e Nakhchivanit, për të lidhur më tej me Turqinë.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, SHBA-ja ka të drejtën ekskluzive në këtë korridor, që synon të lehtësojë eksportin e energjisë dhe resurseve të tjera strategjike.
Por, kërcënimi i fundit nga Irani ka ngritur alarmin për një përshkallëzim të mundshëm në rajon. Këshilltari i liderit suprem iranian, Ali Akbar Velayati, ka deklaruar:
“Ky korridor s’do të bëhet një rrugë nën pronësinë e Trumpit, por varrezë për mercenarët e tij”.
Ai shtoi se stërvitjet ushtarake në Iranin veriperëndimor janë tregues i vendosmërisë për të ndaluar “çdo ndryshim gjeopolitik” afër kufirit të Republikës Islamike.
Fillimisht, Ministria e Jashtme iraniane e kishte mirëpritur marrëveshjen, duke e quajtur “hap për paqen rajonale”, por më pas paralajmëroi kundër ndërhyrjeve të jashtme që, sipas tyre, “do të minonin sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë të rajonit”.
Megjithatë, analistët thonë se Irani, pas 12 ditësh sulmesh nga Izraeli dhe SHBA në qershor, aktualisht nuk ka kapacitet ushtarak për të bllokuar efektivisht korridorin.










