Ish-ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu ishte këtë të hënë i ftuar në “Now” ku ka komentuar mbi konfliktin Iran-Izrael.
Sipas tij konflikti në lindjen e mesme është një konflikt i lashtë dhe është shumë i vështirë për t’u zgjidhur. Në këtë konflikt sipas Mediut ka disa faktorë, ekonomik, politik dhe religjioz.
Ai bëri një analizë se përse Izraeli vendosi të sulmojë Iranin të premten.
“Një ditë më parë, agjencia në Vienë e cila mbikëqyr procesin ngriti alarmin se Irani nuk po pranonte më proceset e verifikimit të pasurimit të Uraniumit në centrifugat. U tha se brenda një jave Irani mund të arrinte të ndërtonte armë atomike dhe më pas edhe raketa balistike nukleare. Kjo do e bënte situatën shumë më të komplikuar dhe shumë më të vështirë”, tha Mediu.
Ai shtoi se një ndikim ka patur edhe afati kohor i caktuar për marrëveshje nga Donald Trump, i cili u la kohë 60 ditë.
Ish-ministri tha gjithashtu se Irani ka qenë një problem i madh për SHBA-të
“Në Dhjetor në takimin që ka bërë IDU në Uashington, Waltz shpjegoi se problemi më i madh për SHBA-në ishte Irani. Për herë të parë kam dëgjuar aty që Irani kishte tentuar të rrëzonte avionin e presidentit Donald Trump, gjatë fushatës elektorale”, tha Mediu.








