Irani sekuestroi dy anije në Ngushticën e Hormuzit të mërkurën, duke forcuar më tej kontrollin mbi një nga rrugët më të rëndësishme tregtare në botë, vetëm një ditë pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se do të përmbahej nga sulmet e mëtutjeshme për një kohë të pacaktuar.
Të martën, pas kërcënimeve të mëparshme për sulme të reja, Trump njoftoi papritur një zgjatje të armëpushimit derisa Irani të dal me propozim të ri si mundësi për rifillimin e negociatave për t’i dhënë fund luftës.
Megjithatë, zyrtarët iranianë nuk kanë konfirmuar se kanë rënë dakord për zgjatjen e armëpushimit dhe e kanë kritikuar ashpër vazhdimin e bllokadës detare amerikane, të cilën e konsiderojnë një akt lufte.
Garda Revolucionare e Iranit tha se i sekuestroi dy anijet për ‘shkelje të rregullave detare’ dhe se i çoi ato në ujërat iraniane. Ky është veprimi i parë i tillë që nga fillimi i luftës në fund të shkurtit.
Në të njëjtën kohë, ata paralajmëruan se çdo përpjekje për të prishur sigurinë në ngushticë do të trajtohet si një ‘vijë e kuqe’.
Midis anijeve të sekuestruara janë anijet “Epaminondas” dhe “MSC Francesca”, të cilat lundrojnë nën flamujt e Liberisë dhe Panamasë. Kompania greke Technomar Shipping konfirmoi se anija e tyre “Epaminondas” u godit nga zjarri rreth 20 milje detare në veriperëndim të Omanit, gjatë të cilit u dëmtua ura e komandës, por nuk pati të lënduar.
Në të njëjtën kohë, çmimet e naftës në tregun botëror po rriten. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent tejkaloi 100 dollarë për fuçi për herë të parë në dy javët e fundit.
Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës kalonte rreth një e pesta e tregtisë botërore të naftës para luftës, po ndikon seriozisht në ekonominë globale.









