Autoritetet iraniane kanë njoftuar arrestimin e 18 personave në qytetin Mashhad, të dyshuar për drejtimin e një punishteje të fshehtë për prodhimin e dronëve spiunazhi dhe vetëvrasës në shërbim të regjimit izraelit.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë iraniane, operacioni është pjesë e një fushate më të gjerë për të çmontuar rrjetet e supozuara të lidhura me Mossadin në territorin iranian, në kohën kur tensionet me Izraelin janë rritur ndjeshëm.
Në një aksion të ngjashëm ditë më parë, forcat e sigurisë në provincën Isfahan arrestuan katër persona dhe zbuluan një strukturë tjetër për prodhimin e dronëve, ku u sekuestruan pajisje të shumta dhe komponentë elektronikë.
Po ashtu, pesë individë u arrestuan në qytetin Qazvin, nën akuzat për nxitje të trazirave dhe përkrahje të agresionit izraelit.
Sipas rrjetit Al Mayadeen, në provincën perëndimore të Lorestanit, policia ka goditur një tjetër celulë që dyshohet se ndihmonte operacione të Izraelit brenda Iranit.
Zyrtarët iranianë theksojnë se masat kundër aktiviteteve të inteligjencës izraelite do të vazhdojnë pa kompromis.






