Të shtunën më 31 maj në “Allianz Arena” në Mynih luhet finalja më e rëndësishme e sezonit, ajo e Champions League mes PSG-së dhe Interit. Francezët konsiderohen si pritës në këtë takim dhe do kenë mundësinë të luajnë me fanelën e tyre të parë.
Në anën tjetër, Interi duhej të zgjidhte mes fanelës së dytë, që është e bardhë dhe asaj e tretë, që është e verdhë dhe zikaltrit kanë zgjedhur pikërisht fanelën e tretë, duke zgjedhur t’i besojnë bestytnisë.
Zikaltrit kanë zgjedhur fanelën e verdhë sepse në 7 ndeshje kur kanë veshur atë nuk kanë humbur asnjëherë. Po ashtu numërojnë dy fitore në Champions League me fanelën e verdhë, atë ndaj Spartës së Pragës në grupe dhe fitoren në Roterdam ndaj Fejnordit në fazën e 1/16-ve.
Ndërkohë, humbja e vetme e zikaltërve në Champions League gjatë këtij sezoni erdhi ndaj Bajer Leverkusen, kur kishin veshur fanelën e bardhë. Po ashtu, Interi ka veshur uniformën e tretë edhe kur fitoi Kupën UEFA në sezonin 1997-1998 ndaj Lacios. Mesa duket zikaltrit i janë dorëzuar bestytnisë dhe kanë zgjedhur fanelën e verdhë, duke besuar se kjo fanelë do iu sjellë fat në finalen e së shtunës.









