Një raport sekret i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës së SHBA-së arrin në përfundimin se edhe një sulm ushtarak në shkallë të gjerë kundër Iranit ka pak gjasa të rrëzojë strukturën e thellë ushtarake dhe fetare që mbështet Republikën Islamike.
Sipas një raportimi të Washington Post, që citon tre persona me njohuri për përmbajtjen e dokumentit, analiza përforcon dyshimet brenda komunitetit të inteligjencës amerikane mbi planin e presidentit Donald Trump për të dobësuar udhëheqjen iraniane dhe për të krijuar kushtet për një drejtim të ri më të afërt me interesat e SHBA-së.
Raporti u përfundua rreth një javë para fillimit të operacioneve ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit më 28 shkurt, dhe analizonte skenarë të ndryshëm që lidhen me goditje të mundshme ndaj udhëheqjes iraniane. Sipas dokumentit, edhe në rast të një operacioni të kufizuar kundër elitës politike apo të një sulmi më të gjerë ndaj institucioneve shtetërore, establishmenti ushtarak dhe fetar i Iranit pritet të reagojë duke aktivizuar mekanizma që garantojnë vazhdimësinë e pushtetit.
Në këtë kuadër, raporti vlerëson se edhe në rast të eliminimit të liderit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, institucionet e regjimit do të aktivizonin procedura të parashikuara për të siguruar një tranzicion të kontrolluar të pushtetit.
Pak gjasa për një ndryshim pushteti
Dokumenti gjithashtu e konsideron pak të mundshme që opozita iraniane, e cila është e fragmentuar, të arrijë të marrë kontrollin e vendit. Ky vlerësim vjen nga Këshilli Kombëtar i Inteligjencës, një organ që përfshin analistë të lartë dhe përmbledh vlerësimet e 18 agjencive të inteligjencës amerikane.
CIA ka referuar pyetjet për këtë çështje tek Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare, e cila nuk ka pranuar të komentojë. Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë nuk ka sqaruar nëse presidenti Trump ishte informuar për këtë analizë përpara se të miratonte operacionin ushtarak.
Që nga fillimi i konfliktit, operacionet ushtarake janë zgjeruar në disa drejtime, përfshirë operacione detare me nëndetëse në Oqeanin Indian dhe interceptime raketash pranë Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.
Qëndrimi i Shtëpisë së Bardhë
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se administrata Trump ka përcaktuar qartë objektivat e operacionit ushtarak të quajtur “Epic Fury”.
Sipas saj, qëllimet përfshijnë:
-shkatërrimin e raketave balistike iraniane dhe kapaciteteve të tyre prodhuese,
dobësimin e forcave detare iraniane,
-ndalimin e aftësisë së Teheranit për të armatose organizata aleate në rajon, dhe parandalimin përfundimtar të Iranit nga sigurimi i armës bërthamore.
-Kelly shtoi gjithashtu se, sipas administratës amerikane, “regjimi iranian po përballet me presion të fortë” nga operacionet ushtarake.
Vlerësime dhe pikëpyetje
Sipas analistëve, përfundimet e raportit mbështeten në një analizë të thellë të strukturës së sistemit politik iranian. Suzanne Maloney, eksperte për Iranin në Brookings Institution, tha se parashikimi i qëndrueshmërisë së institucioneve iraniane pasqyron një njohje të gjatë të mekanizmave të pushtetit në vend.
Megjithatë, raporti nuk duket se ka analizuar skenarë të tjerë, si dërgimi i trupave tokësore amerikane në Iran apo mbështetja e një kryengritjeje përmes grupeve etnike, si kurdët iranianë.
Ndërkohë, sipas raportimeve, procesi i mundshëm i pasardhjes në udhëheqjen iraniane duket se është vënë në lëvizje nën presionin e një fushate intensive bombardimesh ajrore dhe detare nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.









