Imami shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Sadullah Bajrami, i ka reaguar imamit kosovar Drilon Gashi, pasi ky i fundit publikoi fotografi duke punuar në ndërtim në Gjermani.
Bajrami, i cili njihet për bindjet e tij radikale, i ka bërë thirrje për reflektim imamti Gashi.
“Drilon, solidarizohem me ankesën tënde dhe me kërkesën për mundësi të ndershme në vendlindje. Nuk je i vetmi që përjeton zhgënjim pas studimeve dhe përpjekjeve për punësim. Allahu ta lehtësoftë barrën dhe ta ruajtë familjen! Baushtella është nder për këdo që e fiton bukën me hallall. Por shqetësimi im për ty shkon përtej punës: lidhet me përgjegjësinë për fjalën që ke përhapur publikisht. Ke qenë imam. Ke studiuar në Medinën e të Dërguarit ﷺ. Të njoh dhe i di aftësitë e tua. Prandaj, qëndrimet publike ndaj fesë nuk mund të trajtohen si pakujdesi fëmijërore. Ti e njeh peshën e tyre dhe përgjegjësinë që mbartin. Ekrani nuk e zvogëlon përgjegjësinë; e shumëfishon ndikimin”, ka shkruar ai.
“Feja e Allahut mbetet e ruajtur. Shtrembërimi i paraqitjes së saj nuk e ndryshon të vërtetën e saj, por e rëndon përgjegjësinë e atij që e shtrembëron. Pyetja që duhet t’ia bësh vetes është: çfarë fitova dhe çfarë rrezikova me fjalën time? Rishikoje lidhjen me këdo që e përdor pretendimin e dashurisë për Ehli Bejtin për të nxitur përbuzjen e sahabëve. Dashuria për familjen e të Dërguarit ﷺ nuk e përligj padrejtësinë ndaj shokëve të tij, të cilët na e përcollën fenë. Si mund të përbuzen ata për të cilët Allahu ka shpallur kënaqësinë e Tij? Ti e di paralajmërimin e Allahut në hadithin kudsij: ‘Kush i shpall armiqësi një të dashuri Tim, Unë i kam shpallur luftë’.”, ka thënë më tej ai.
Çka shkroi Drilon Gashi?
Drilon Gashi, ish-këshilltar i Glauk Konjufcës dhe dikur teolog në Kosovë, ka treguar se është larguar nga vendi dhe aktualisht po punon në një kantier ndërtimi në Gjermani, pasi, siç thotë, nuk ka arritur të gjejë mundësi të qëndrueshme punësimi në vendlindje.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Gashi thotë se në moshën 39-vjeçare, ai thotë se e ka gjetur veten në Gjermani, duke vendosur pllaka dhe kryer punë të tjera fizike në ndërtimtari.
“Kam konkurruar në rreth 60 vende pune në Kosovë. Kam trokitur në dyer institucionesh, kompanish dhe njerëzish me ndikim. Kam përjetuar refuzime, premtime të pambajtura dhe zhgënjime të njëpasnjëshme. Kam punuar edhe për 500–600 euro, në kushte ku ndonjëherë mungonin edhe tualetet për punëtorët. Nuk pretendoj se në çdo konkurs më është bërë padrejtësi. As se çdo dështim imi është faj i dikujt tjetër. Kam edhe unë përgjegjësinë time për vendimet që kam marrë…”, ka deklaruar ndër të tjera ai.
“Me katër fëmijë, me detyrime bankare dhe përgjegjësi familjare, erdhi një ditë kur nuk mund të prisja më. Mora rrugën e mërgimit”, ka shkruar më tej ai.
Ai ka thënë se vazhdon ta dojë Kosovën, por sipas tij, vendi duhet të jetë edhe një hapësirë ku qytetarët mund të punojnë, të jetojnë dhe t’i rrisin fëmijët me dinjitet, e jo të detyrohen ta kërkojnë të ardhmen jashtë saj.
Në vitin 2023, Glauk Konjufca e kishte liruar Drilon Gashin nga detyra e këshilltarit të tij në kabinetin e kryetarit të Kuvendit, pasi në media ishin publikuar raportime për një rast të dhunës në familje, për të cilin Gashi ishte dënuar me “vërejtje gjyqësore”.
Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të vitit 2018, Gashi ishte shpallur fajtor për lëndim të lehtë trupor ndaj bashkëshortes. Ai kishte pranuar fajësinë për rastin, ndërsa gjykata i kishte shqiptuar vërejtje gjyqësore.
Konjufca, kur ishte pyetur për shkarkimin, kishte thënë se shefit të kabinetit ia kishte dhënë instruksionet për të marrë masat e nevojshme ndaj Gashit.








