Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, tha se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, pavarësisht raportimeve të fundit në media.
Ferati tha se LDK-ja do të trajtojë me seriozitet çdo kërkesë që plotëson kriteret statutare, por theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë iniciativë e formalizuar brenda partisë.
“Kanë qarkulluar lajme ditën e djeshme, edhe gjatë ditës sot, nëpër portale të ndryshme, tek të cilat nuk pashë ndonjë burim të cituar të informacionit, qoftë ndonjë eksponent serioz i LDK-së, qoftë ndonjë grupi serioz të LDK-së, edhe deri më tani nuk ka asnjë nënshkrim të deponuar. Përndryshe, në momentin që ka kërkesa brenda për brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh kanë me u trajtuar prej neve si parti dhe kanë me u shqyrtuar deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin, e deri më tani kur po flasim, nuk ka numër, as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, tha ai.








