GazetaKosova.net sot ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me familjen Dvorani, të cilën Policia e Kosovës dhunshëm i larguan nga shtëpia e tyre.
Për GazetaKosova.net ka folur një familjar, i cili thotë se Ilaz Shehu dhunshëm ua mori pronën e tyre, shtëpinë dhe me ndihmën e Policisë ata i larguan prej aty.
Avokati Gazmend Halilaj ka ngritur kallëzim penal ndaj disa zyrtarëve policorë, të cilët sipas tij, kanë shkaktuar terror ndaj familjes Dvorani duke i dëbuar me forcë nga shtëpia e tyre pa asnjë urdhër gjykate.
Halilaj ka theksuar se kjo ngjarje nuk ndodh as në mesjetë dhe se familja Dvorani sot gjendet nën qiell të hapur, pa mundësi për të marrë ushqime apo veshmbathje për fëmijët dhe të moshuarit mbi 90-vjeçarë.
Sipas tij, kjo familje është në posedim të ligjshëm të truallit dhe shtëpisë për më shumë se 70 vjet, dhe se nuk ekziston asnjë aktgjykim, aktvendim i formës së prerë apo padi gjyqësore nga ndonjë palë kundërshtare.
“Uniforma e Policisë që dikur u pagua me gjak, sot po keqpërdoret nga njerëz të etur për të shkaktuar terror”, u shpreh Halilaj, duke theksuar se nuk do të ndalet derisa përgjegjësit të dalin para drejtësisë.
Ai ngre alarmin mbi shkeljet ligjore dhe njerëzore të kësaj ngjarjeje, duke pyetur nëse ekziston ndokush që mendon për jetën e fëmijëve që janë dëbuar me forcë nga shtëpia e tyre e vetme.
Halilaj e përmbyll reagimin e tij me zotimin se do të kërkojë drejtësi për familjen Dvorani dhe ndëshkim të atyre që shkaktuan, sipas tij, dhunë dhe terror pa asnjë bazë ligjore.






