Pronari i një restoranti që jeton në Vigo të Spanjës, dëboi një grup turistësh izraelitë ndërsa bërtiste “Liri Palestinës”. Incidenti antisemit ndodhi më 8 korrik dhe u bë viral në mediat sociale falë imazheve të postuara në internet nga vetë sipërmarrësi.
Videoja tregon pronarin e restorantit, i cili drejton tre biznese në Vigo, duke marrë ushqimin që kishte sjellë tashmë në tryezën e turistëve izraelitë: “klientë, faleminderit. Dilni që këtej. Vritni palestinezët, shkoni të hani në Gaza. Ka birrë të mirë në Gaza”, thotë ai ndërsa filmon.
Pak më vonë, ai humbet durimin dhe nis të fyejë turistët. “Bij kurvash hebrenj, ata vrasin njerëz dhe vijnë këtu me pushime”. Më në fund, ndërsa turistët largohen, ai bërtet: “Rroftë Palestina e lirë”.
Gazeta La Voz de Galicia raportoi versionin e ngjarjeve nga pronari i restorantit. Ai vuri re sjellje “të çuditshme” nga klientët që kishin kërkuar pjata vegjetariane. Megjithatë, klientët këmbëngulën që ushqimi i tyre të përfshinte mish.
“U thashë të qetësoheshin, se ushqimi ishte vegjetarian, por ata vazhduan të këmbëngulnin”, tha sipërmarrësi. Burri më pas pyeti nëse ishin turq, por turistët u përgjigjën: “ne jemi izraelitë”. Në këtë pikë, gjërat me sa duket u përshkallëzuan.
Sipas pronarit të restorantit, turistët “e trajtuan keq që në fillim” sepse vunë re flamujt libanezë të shfaqur jashtë restorantit dhe praninë e elementëve arabë në menu.






