Kryetari aktual i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka folur në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ku tha se ka nisur transformimi i qytetit përmes projekteve infrastrukturore.
“Ka filluar transformimi i qytetit. Kemi bërë punë të mëdha sepse kemi zgjeruar rrugë që kanë qenë shumë të ngushta, ku është dashur të rrënohen edhe mure 50-vjeçare. Çdo rrugë që e kemi zgjeruar, e kemi bërë me trotuar për këmbësorë, me hapësira për biçikleta dhe me mbjellje të gjelbërimit”, tha Idrizi.
Ai tregoi se në planprogramin e tij,nëse fiton këtë mandat për udhëheqje në Vushtrri, do të vazhdojë zgjerimi i disa rrugëve kryesore në qytet, përfshirë, rrugën “Jeton Terstena”, lidhjen e Lezhës, rrugën “Isat Halili”, “Ismail Qemajli”, “Bahri Kuçi”, “Haxhi Zeka” dhe “Haxhir Zaka”.
Sipas tij, pas përfundimit të këtyre projekteve, qarkullimi i automjeteve do të jetë më i lirshëm, ndërsa është planifikuar edhe lirimi i 100 vendparkimeve në qytet.









