IBËR-LEPENCI DHE GJEOPOLITIKA E PANDËSHKUESHMËRISË

Shkruan: Gurakuç Kuçi

Dy vjet pas sulmit terrorist ndaj Ibër-Lepencit, Kosova përballet me një problem që shkon përtej sigurisë së infrastrukturës kritike. Është problemi i pandëshkueshmërisë dhe i kostos politike që Serbia realisht paguan për destabilizimin e Kosovës.

Banjska dhe Ibër-Lepenci evidentuan dy dimensione të luftës hibride. Përderisa në Banjskë u sfidua autoriteti territorial i Kosovës, në Ibër-Lepenc u godit funksionaliteti i shtetit.

Sot, me ndryshimin politik në Serbi, vëmendja duhet të përqendrohet edhe te mënyra se si Beogradi po administron trashëgiminë e këtyre sulmeve.

Milan Radoiçiqi qëndroi për më shumë se tre vjet në liri në Serbi. Gjykata në Beograd lëshoi urdhërarrest ndaj tij më 17 nëntor 2026, pasi ai tashmë ishte në arrati. Po atë ditë u konstituua edhe parlamenti i ri i Serbisë.

Kjo kronologji ngre dyshimin për një kalkulim strategjik. Radoiçiqit iu la mundësia të largohej, ndërsa udhëheqjes së re politike i mbetet një urdhërarrest me të cilin mund të argumentojë para ndërkombëtarëve se Serbia po përmbush detyrimet e saj. Përfitimi diplomatik është i dyfishtë: shmangia e barrës politike të arrestimit dhe neutralizimi i presionit ndërkombëtar për mosarrestimin e tij.

Në këtë mënyrë, Beogradi mund të përfitojë politikisht edhe nga një proces gjyqësor që ende nuk ka prodhuar drejtësi.

Për Kosovën, rreziku është që me ndryshimin e pushtetit në Serbi, Perëndimi të rivendosë marrëdhëniet me Beogradin duke i trajtuar Banjskën dhe Ibër-Lepencin si probleme të një administrate të kaluar dhe jo si çështje të pazgjidhura të sigurisë rajonale.

Dyvjetori i Ibër-Lepencit duhet të na rikujtojë se pandëshkueshmëria nuk është vetëm problem juridik. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, ajo ul koston e agresionit dhe krijon kushtet strategjike për përsëritjen e tij.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img
- MARKETING - spot_img

Lajmet e Fundit