“Ia mora thikën që të mos ma vriste vajzën”: Shqiptari çarmatos grabitësin në Zvicër

Një shqiptar ka ndërhyrë për të mbrojtur vajzën e tij gjatë një grabitjeje të armatosur në një piceri në Villmergen, në kantonin Aargau të Zvicrës.

Ngjarja ndodhi të dielën në mbrëmje, rreth orës 17:30, kur një burrë i maskuar hyri në lokalin që ndodhet në Unterdorfstrasse. Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, personi kërcënoi punonjësit me thikë dhe kërkoi t’i dorëzoheshin paratë.

Në mesin e punonjësve ndodhej edhe vajza e shqiptarit Zelal Selimi. Ky i fundit ishte jashtë picerisë kur dëgjoi britmat dhe kuptoi se çfarë po ndodhte brenda.

Selimi ka treguar se thika ndodhej vetëm rreth 40 deri në 50 centimetra larg kokës së vajzës së tij.

“Hyra dhe ndërhyra për t’ia marrë thikën, që të mos ma vriste vajzën”, ka rrëfyer ai për mediat zvicerane.

Image

Zelal Selimi e dëboi autorin nga piceria; më vonë, i dyshuari u arrestua.

Selimi iu afrua personit të maskuar, e kapi për kyçi të dorës dhe ia përdrodhi krahun pas shpine, duke arritur ta çarmatoste. Më pas e ndoqi dhe e nxori jashtë lokalit.

Gjatë përleshjes, shqiptari pësoi lëndime të lehta në të dyja duart.

I dyshuari u largua nga vendi i ngjarjes me një trotinet elektrik, por arratia e tij zgjati pak. Një polic që ndodhej jashtë detyrës e vërejti dhe arriti ta ndalonte pak më vonë.

Sipas Policisë Kantonale të Aargaut, i arrestuari është një 36-vjeçar, shtetas serb me banim në rajon. Ai është ndaluar përkohësisht, ndërsa prokuroria kompetente ka hapur hetim penal.

Vajza e Selimit ka thënë se ndërhyrja e babait të saj ishte vendimtare dhe se situata mund të kishte përfunduar shumë më rëndë.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim në Villmergen, pasi vetëm dy ditë më parë një person kishte grabitur me thikë edhe një furrë buke në të njëjtën zonë, duke u larguar me para.

Policia po heton rrethanat e plota të rastit dhe nëse ekziston ndonjë lidhje ndërmjet dy grabitjeve.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit