Avokati Arianit Koci ka denoncuar një praktikë të përsëritur të ndalimeve dhe verifikimeve të shtesë gjatë kalimeve të tij në kufirin me Serbinë, duke e përshkruar përvojën si një procedurë që zgjat deri në 30 minuta pa asnjë shpjegim të dhënë. Ai tregon se kjo ka ndodhur tri herë radhazi, edhe pse deri më tani kishte kaluar kufirin pa pengesa.
Në reagimin e tij të hapur, Koci sqaron se gjatë këtyre rasteve ai udhëtonte në veturën zyrtare të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, së bashku me Shefin e Zyrës.
Avokati thotë se ky ndryshim në trajtimin e tij nuk është rastësor dhe e lidhet me aktivitetin e tij profesional: koordinimin e mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës të dyshuar për krime të luftës dhe rolin e tij si lidhje mes avokatëve lokalë dhe familjeve, duke siguruar komunikim të saktë dhe tejkalim të barrierave gjuhësore.
Shkrimi i plotë
Në tri kalimet e fundit në kufirin me Serbinë, po ndalohem për verifikim shtesë. Pa asnjë shpjegim.
Procedura është e njëjtë çdo herë.
Polici serb ma merr dokumentin pa interes. Jam një prej shumë qytetarëve që hyn në Serbi.
Posa e skanon letërnjoftimin tim, i hap sytë, më shikon mua, pastaj ekranin. Më kërkon të parkohem anash.
Del nga kabina dhe shkon në objektin kryesor. Bëhen verifikime dhe konsultime me telefon.
Pres.
Kjo zgjat nga 13 deri në 30 minuta.
Kthehet. Dokumenti më jepet pa asnjë shpjegim. Më thuhet se mund të vazhdoj.
E njëjta procedurë, tri herë radhazi.
Në këto tri raste kam qenë në veturën zyrtare të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, së bashku me Shefin e Zyrës.
Deri më tani, për vite me radhë kam kaluar pa asnjë pengesë.
Aktiviteti im në koordinimin e mbrojtjes së qytetarëve të Kosovës që dyshohen nga autoritetet serbe për krime të pretenduara lufte – po u pengon strukturave shtetërore atje.
Prandaj, ky ndryshim i statusit tim në sistemet kufitare nuk është i rastësishëm. Është evidente që jam subjekt i monitorimit nga organet e sigurisë në Serbi.
Atje, përveç rolit tim si avokat në rastet e lartëcekura, jam edhe lidhja mes avokatit lokal dhe familjes, si dhe personi që siguron tejkalimin efektiv të barrierave gjuhësore dhe garanton komunikim të saktë.
Pikërisht për këtë rol, jam në monitorim.
Kjo është presion institucional që synon të ndërhyjë në mbrojtjen ligjore dhe të kufizojë ushtrimin e profesionit tim.
Nëse do të ekzistonte ndonjë procedurë ligjore ndaj meje, do të njoftohesha. Tanimë kam kaluar “kontrollin shtesë” disa herë.
Sidoqftë, veproj në përputhje me ligjin – në çdo hap dhe në çdo juridiksion ku ushtroj profesionin. Serbia nuk është përjashtim.
Kërkesa ime është e qartë edhe atje: çdo qytetar i Kosovës në Serbi të trajtohet sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe ligjeve vendore në fuqi.
Angazhimin tim do ta vazhdoj. Nuk më demotivon dhe nuk më frikëson askush në punën time.
Ky publikim bëhet për një arsye të vetme: në rast të ndonjë incidenti eventual gjatë ushtrimit të detyrës sime si avokat në Serbi, të ekzistojë një kontekst i dokumentuar i kësaj situate.









