Një personazh publik, Elton Tozaj, ish banor i Big Brother Albania, ka mashtruar disa biznese, duke u hequr si punonjës i brendshëm i televizionit Top Channel.
Eltoni nuk ka qenë asnjëherë i punësuar në Top Channel, por pavarësisht kësaj, ai ka arritur që të zhvasë disa biznese, dy prej të cilave të dokumentuara nga emisioni investigativ Fiks Fare.
Duke shfrytëzuar daljet e tij si analist i ngjarjeve që ndodhin në shtëpinë më të famshme të shqiptarëve, Big Brother Vip, ky gazetar premton reklamim të bizneseve në spektaklin e Top Channel. Madje, kërkon pagesa në emër të stafit të Top Channel dhe aparate celulari.
Rasti i parë, është në qytetin e Korçës, në një dyqan që shet telefona celularë, ku Eltoni i ka marrë pronarit 3 telefona “Iphone 17 Pro Max”, vlera e të cilëve ka qenë rreth 5.200 euro. Ai është hequr si punonjës i Top Channel, teksa ka përmendur edhe emrat e pronarëve dhe drejtuesve të televizionit.
Skema që ka përdorur është një rast tipik mashtrimi, pasi Eltoni është njohur me pronarin e biznesit në një hotel në qytetin e Korçës. Më pas, në marrëdhënie besimi, Eltoni i ka shkruar pronarit se do “3 telefona Iphone 17 Pro Max”, ku 1 e donte për vete dhe 2 për drejtuesit e Top Channel. Më pas, dyqani ka nisur një korrier në adresën që Eltoni i ka dhënë në qytetin e Tiranës. Këtë ngjarje, pronari e ka denoncuar në Policinë e Korçës, ku dhe prokuroria e atij qyteti ka nisur një procedim penal.
Fiksi bisedoi me punonjësit e dyqanit në Korçë, ku ata tregojnë se Eltoni u mori 3 aparate. Sipas tyre, pronari ka bërë një bisedë me Eltonin. Ai i shkruan se nesër është në Korçë dhe “kam dhe 3 pagesa për të sjellë”. Biseda vijon se nuk ja ka ndryshuar çmimin, “aq sa e kam marrë unë, i kam thënë”.
Në të gjithë komunikimin, Eltoni përmend emrat e pronarëve dhe drejtuesve të televizionit. Ai i shkruan se “e kam dhuratë nga puna pas 16 vitesh në televizion, u kujtuan më në fund”. Ai i premton pronarit të dyqanit se do t’i dërgojë pagesën që do bëjë puna, pra punëdhënësi Top Channel!
Në një ditë tjetër, Eltoni i kërkon me ngulm telefonat, duke u justifikuar se më pas do të futet në disa emisione të Top Channel, madje edhe në “Big Brother Selection”. “Kallëzime i kanë bërë 100 veta atij. Ai i mori të ëmën T… dhe i tha thuaj djalit se do t’i bëj denoncim. Do t’i bëj edhe unë mbas teje i tha, hajde vemi të dy i tha e ëma. Në një numër telefoni që” i thotë punonjësi gazetarit.
Ndërkohë, rasti i dytë, i dokumentuar nga Fiks Fare, ka ndodhur në qytetin e Kavajës, në një restorant. Pronarët e restorantit e kanë takuar disa muaj më parë Eltonin, i cili u ka premtuar se, kundrejt një pagese prej 200 eurosh, ata do të shtronin një darkë për banorët e Big Brother Vip Albania 5. Edhe në këtë rast, Eltoni u ka premtuar se, me njohjet që ka me produksionin e Big Brother, por edhe me drejtuesit e Top Channel, do të mundësonte këtë “reklamë”.
“Unë e kuptova atë si tip në fillim. Po thashë tani, se ndonjëherë të rren ajo qejfi me dalë. Se medemek, është lirë dhe mos ka ndonjë njohje, e kupton. Në një moment thashë, pata hyrë, pata lexuar se edhe rob jemi nuk është se jemi pa dalë. Më tha do bësh një pagesë kështu te 200 mijë lekëshi. Javën e parë më tha do dalësh. Kaloi java e parë, jo kështu e ashtu. I thashë sonte në darkë dua lekët se s’bën. Më solli një video në darkë dhe më tha kam bërë aksident” thotë pronari i restorantit.
Eltoni u ka dërguar një video, ku duket i gjakosur dhe me shenja të rënda në kokë dhe trup. Është e njëjta pamje, që gazetari e denoncoi disa javë më parë në polici, por edhe mediatikisht. Ai i thotë pronarëve të restorantit, që po kërkonin kthimin e shumës së paguar, se “do të lidhen nesër këta të shtëpisë me ty, të lutem”.
“Do i shtroja unë darkën. Biles më ka marrë dhe menu, po s’më dukej serioz. Unë i thashë jam i bindur që kjo është mashtrim. Isha shumë i bindur që ishte mashtrim. Të rren ajo hajde mo se inshallah, se medemek hë mo se inshallah” pohon ai, teksa shton se ka lexuar në internet se Elton Tozaj ka qenë i proceduar disa herë.
Fiks Fare bëri një kërkim të thjeshtë në internet, të njëjtin që ka bërë edhe biznesi në Kavajë, ku rezulton se ky personazh, Elton Tozaj, ka qenë i proceduar disa herë nga drejtësia. Madje, ai është ndaluar edhe nga policia në vitin 2007, i akuzuar për mashtrim. Ai akuzohej se u kishte marrë disa pronarëve të taksive para, duke u hequr si punonjës i Bashkisë së Tiranës.
Në raste të tjera, sipas raportimeve mediatike, Eltoni hiqej edhe si këshilltar i ministrave të ndryshëm. Një tjetër procedim penal është hapur në vitin 2024 në Korçë, ku prokuroria e atij qyteti kërkoi edhe masë shtrënguese. Akuza ishte për mashtrim.
Fiksi e takon Eltonin në Tiranë, duke e pyetur se “është hequr si punonjës i Top Channel”. Ai thotë se ka qenë i atashuar, i ftuar disa herë në emisionet. Më tej thotë se me zotërinë (rastin e Korçës) ka pasur një problem pasi s’ka marrë kuponin tatimor. Ai thotë se s’ka marrë faturën e shitjes dhe në momentin që ka marrë këtë faturë, ka bërë edhe pagesën.








