Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e Kryesisë, ndërkaq ka bërë të ditur se është tërhequr nga posti i presidentit, ndërkaq për t’i evituar zgjedhjet ka ftuar Partinë Demokratike e Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që së bashku t’i propozojnë tre emra për president.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje ka caktuar disa kritere për të përmbushur kandidatët, mes tyre të mos jetë i skenës politike.
“Këta tre kandidatë duhet të jenë figura unifikuese, me integritet të lartë qytetar e kombëtar, me kontribut të dëshmuar në jetën profesionale dhe shoqërore, dhe jashtë skenës aktuale politike”.
Vetëvendosje tha se për këta të tre do të siguroheshin së paku 90 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Me atë rast, paraprakisht do të tërhiqeshin nga kandidatura Zëvendës-kryeministri dhe Ministri i punëve të jashtme dhe diasporës Glauk Konjufca e deputetja Dr. Fatmire Mulhaxha-Kollçaku”.
Partia e Albin Kurtit ka edhe një afat për këtë.
“Koha është e kufizuar. Për shkak të afateve kushtetuese, presim përgjigje nga subjektet opozitare deri të dielën në mbrëmje”.









