ëvizja Vetëvendosje, dega në Skenderaj, përmes kryetarit të saj Hysni Mehani, ka reaguar pas mbylljes se ambulancave shëndetësore paralele serbe në fshatrat Syriganë dhe Banjë, të komunës së Skenderajt.
Komuna e Skenderajt, me të pranuar informacionin nga qytetarët për veprimtarinë e këtyre ambulancave paralele serbe, me urdhër të kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtaku, ka vepruar menjëherë duke mbyllur këto ambulanca shëndetësore, ku ka evidentuar barna pa banderolë dhe me afat të skaduar.
Gjithashtu, ato kanë funksionuar jashtë protokolleve shëndetësore dhe ligjeve të Republikës së Kosovës. I gjithë ky veprim i Komunës së Skenderajt duket se nuk i ka pëlqyer Lëvizjes Vetëvendosje, parti kjo e cila është duke drejtuar Qeverinë e Kosovës.
Përmes kryetarit të saj në Skenderaj, kjo parti ka reaguar tri herë brenda tre orëve përmes rrjeteve sociale, duke kritikuar veprimin e Komunës së Skenderajt.
Kryetari i VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani, në një status i drejtohet kryetarit të Skenderajt, Sami Lushtakut, si “Sami Serbia”, duke e lidhur me veprimin e komunës për mbylljen e dy ambulancave paralele serbe në fshatrat Banjë dhe Syriganë.
Sipas disa pretendimeve Qeveria e Kosovës kishte përgatitur që në fillim të muajit qershor t’i mbyll, duke organizuar një spektakël publik dhe medial, duke angazhuar Njësinë Speciale të Policisë së Kosovës. E gjithë kjo ishte përgatitur nga partia në qeveri, VV-ja, kur të afrohet data e zgjedhjeve parlamentare që parashihen të mbahen në qershor.









