Hudhra konsiderohet një nga ushqimet më të shëndetshme, duke ofruar një gamë të gjerë përfitimesh për organizmin. Ajo mund të ndihmojë në uljen e tensionit të gjakut dhe kolesterolit, mbrojt nga viruset, dhe përforcon sistemin imunitar, ndër të tjera.
Ky “superushqim” është i pasur me vitamina C dhe B6, si dhe me minerale si mangan dhe selen, të cilat janë të nevojshme për funksione jetësore, përfshirë forcimin e kockave, prodhimin e kolagjenit, shëndetin e tiroides dhe mbrojtjen e sistemit imunitar.
Përfitimet kryesore i atribuohen allicinës, një përbërës i pasur me squfur që i jep hudhrës aromën karakteristike. Alexa Mullane për Daily Mail tha se allicina ka veti antimikrobike, antioksiduese dhe anti-inflamatore.
“Allicina mbështet funksionin imunitar duke luftuar bakteret (përfshirë llojet rezistente ndaj ilaçeve), viruset, kërpudhat dhe parazitët. Gjithashtu mund të përmirësojë shëndetin kardiovaskular. Studimet kanë treguar përmirësime modeste në presionin e gjakut dhe nivelet e kolesterolit me konsumimin e hudhrës. Komponimet e pasura me squfur ndihmojnë edhe në detoksifikimin e mëlçisë”, tha ajo.
Hudhra ka një histori të gjatë, duke u kultivuar dhe konsumuar për rreth 6,000 vjet. Ajo ka origjinën në Azinë Qendrore dhe është përhapur më pas në Lindjen e Mesme, Mesdhe dhe më gjerë në botë.






