Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar për situatën politike në vend, duke paralajmëruar për një krizë të thellë institucionale dhe rrezik për destabilizim të rendit politik.
Përmës një reagimi në rrjetet sociale, Hoxhaj tha se vendi po hyn në një fazë të rrezikshme ku institucionet po paralizohen njëra pas tjetrës.
“Nëse dikush ka menduar se rënia në kaos nuk ndodh menjëherë, e ka pasur gabim. Vitin e kaluar e mbyllëm pa një Kuvend me funksion të plotë dhe pa një Qeveri me mandat demokratik. Pas dy javësh rrezikojmë të mbetemi edhe pa një President legjitim”, ka shkruar Hoxhaj.
Sipas tij, periudha kur pas zgjedhjeve institucionet ndërtoheshin shpejt tashmë i përket së kaluarës.
“Kosova po shndërrohet nga një vend me më pak rend në një vend pa rend fare, duke rrezikuar të kaplohet nga kaosi dhe anarkia”, theksoi ai.
Hoxhaj kritikoi ashpër mënyrën se si po menaxhohet situata politike në vend, duke thënë se interesat shtetërore po sakrifikohen për interesa të ngushta politike.
“Në një moment kur bota përballet me sfida të mëdha që përcaktojnë fatin e kombeve, qeveria e Kosovës po luan me shtetin, duke sakrifikuar interesin kombëtar për ego të vogla politike dhe ambicie personale”, u shpreh ai.
Sipas tij, situata aktuale nuk është më vetëm një krizë politike, por një dobësim i rrezikshëm i shtetit.
“Kjo nuk është më thjesht krizë politike, por një rrëshqitje e rrezikshme që po e dobëson Kosovën nga brenda dhe jashtë”, theksoi Hoxhaj.
Ai paralajmëroi se nëse vendi vazhdon në këtë drejtim, Kosova mund të humbasë mbështetjen dhe vëmendjen ndërkombëtare.
“Historia nuk fal kur një komb humb shansin për të ecur përpara. Nëse kjo rrugë vazhdon, Kosova rrezikon të mbetet jashtë skenës ndërkombëtare, të humbasë vëmendjen e aleatëve dhe mundësitë strategjike për zhvillim dhe integrim. Një shtet nuk mund të mbijetojë pa institucione funksionale, pa rend politik dhe pa besim tek aleatët e tij”, përfundoi ai.









