Pas njohjes së Republikës së Kosovës nga Bahamat, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka reaguar duke e cilësuar këtë zhvillim si lajm shumë të mirë dhe hap të rëndësishëm në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.
Hoxhaj ka theksuar se çdo njohje e re e bën Kosovën më të fortë dhe më të pranishme në skenën ndërkombëtare, duke shtuar se vitet e fundit vendi ka qenë i izoluar dhe pa progres të mjaftueshëm në politikën e jashtme.
“Në vitet e fundit, Kosova ka qenë e izoluar në planin ndërkombëtar. Qeveria Kurti dhe Ministrja e Punëve të Jashtme nuk kanë bërë sa duhet për ta promovuar Kosovën dhe për ta avancuar pozitën e saj ndërkombëtare. Njohjet nuk vijnë vetvetiu, ato kërkojnë punë, angazhim dhe vizion diplomatik,” ka deklaruar Hoxhaj.
Ai ka rikujtuar se me Bahamat ka pasur takime të shpeshta dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë gjatë kohës sa ka qenë ministër i Jashtëm, duke nënvizuar se ky shtet ka mbështetur Kosovën edhe në organizata ndërkombëtare.
“Kjo tregon se marrëdhëniet ndërkombëtare ndërtohen me kohë dhe mbi bazën e mirëbesimit,” ka shtuar ai.
Sipas Hoxhajt, rikthimi i politikës së njohjeve, të cilën e cilëson si politikën më të suksesshme të jashtme të Kosovës, mbetet prioritet i tij edhe sot.
“Nuk ka prioritet më të madh për Kosovën sesa forcimi i subjektivitetit të saj ndërkombëtar. Kjo duhet të jetë mbi çdo qeveri dhe mbi çdo parti politike. Për mua, kjo ka qenë dhe mbetet një mision personal,” ka përfunduar Hoxhaj.








