Deputeti i LDK-së, Avdullha Hoti, e ka kritikuar kryetarin e kësaj partie për emërimin kryesisë së re.
Ai ka bërë me dije se Lumir Abdixhiku nuk e ka respektuar statutin e partisë në këtë rast.
Hoti ka thënë se Kryesia e LDK-së emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm me propozim të Kryetarit.
“LDK-ja e ka ndërtuar identitetin e vet politik mbi rregulla statutare dhe respekt për kontributin e secilit. Çdo vendim në LDK kërkon respektim të statutit dhe meritave. Në këtë fazë, kur vendi përballet me rrënim të institucioneve e me qeverisje autokrate e abuzive, LDK-ja duhet të jetë alternativa politike që i bën bashkë të gjithë. Shpallja në këtë mënyrë e përbërjes së re të Kryesisë së LDK-së bie ndesh me statutin e partisë, i cili specifikon se Kryesia e LDK-së emërohet nga Këshilli i Përgjithshëm me propozim të Kryetarit”, ka thënë Hoti.
Ai ka bërë me dije se Këshilli i Përgjithshëm e ka të drejtën të propozojë edhe emra shtesë për anëtarë të Kryesisë.
“Për më tepër, Këshilli i Përgjithshëm ka të drejtë të propozojë emra shtesë deri në një të tretën e anëtarëve të Kryesisë, të cilët pastaj votohen. Deklaratat politike të miratuara në Kuvendin e Punës të datës 31 janar 2026 nuk e zëvendësojnë statutin e LDK-së. Ato deklarata vetëm e hapin rrugën për emërimin e Kryesisë së re, gjithmonë në përputhje me statutin”, ka thënë Hoti.
Ish-kryeministri i Kosovës e ka kritikuar të parin e LDK-së edhe për largimin nga kryesia të disa figurave të njohura të partisë.
Ai ka vlerësuar se jashtë përbërjes së re të Kryesisë kanë mbetur figura me përvojë dhe peshë politike.
“LDK-ja forcohet duke përfshirë njerëzit që kanë dhënë kontribut në momente të vështira dhe që kanë potencial për betejat politike që na presin. Sigurisht se secili anëtar i LDK-së e ka peshën e vet dhe meriton respektin e plotë timin dhe të gjithëve. Por jashtë përbërjes së re të Kryesisë kanë mbetur figura me përvojë dhe peshë politike, që mund të cenojë balancat e nevojshme brenda partisë dhe kufizojnë potencialit e LDK-së”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se shumë kryetar të degëve të mëdha të LDK-së nuk janë përfshirë në kryesinë e re.
“Jashtë liste janë kryetarë të degëve të mëdha. Jashtë liste janë personalitete aktive në politikë, të cilët kanë bartur funksione të larta shtetërore në Qeveri dhe në Kuvendin e Kosovës, personalitete që kanë udhëhequr procese të rëndësishme në LDK. Jashtë përbërjes së Kryesisë së re është Kryetari i Kryeqytetit, Kryetari i Komunës dhe i degës së Lipjanit, Kryetari i Degës në Prizren, ish Kryetari i Grupit Parlamentar, Profesori Valon Murtezaj, Profesori Muhamet Hamiti, Kryetari i Degës së Dytë në Prishtinë dhe nënkryetari i Kryeqytetit, e personalitete të tjera si ish deputetë e deputete që kanë marrë besim të konsiderueshëm qytetarë. Unë kam rezervat e mija edhe për përfshirjen e shumë pak grave në Kryesi”, ka theksuar Hoti.
Më pas, deputeti i LDK-së ka bërë me dije se çdo devijim nga statuti partiak dëmton besimin e brendshëm dhe kredibilitetin publik.
“Pa dyshim se po. Por nuk mund të anashkalohet fakti se emërimi i Kryesisë është në kundërshtim me statutin e LDK-së. Bërja publike e Kryesisë dhe zgjerimi me anëtarë shtesë përtej numrit të paraparë në statut pa një miratim nga Këshilli i Përgjithshëm nuk janë thjesht çështje teknike. LDK-ja duhet të mbetet shembull i ligjshmërisë. Çdo devijim nga ky standard e dëmton besimin e brendshëm dhe kredibilitetin publik. Unifikimi në dallime dhe respekti për rregullat statutare janë thelbësore për të ndërtuar një LDK të fortë dhe të besueshme”, është shprehur ai, duke treguar se për çka ka nevojë LDK-ja në këto momente.
Sipas tij, përbërja e re e kryesisë duhet të propozohet para Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.
“Sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për unitet dhe për gjithëpërfshirje. Unë i mbetem besnik elektoratit dhe vlerave të LDK-së dhe do të angazhohem me të gjithë kolegët në funksion të ndërtimit të unitetit dhe forcimit të LDK-së. Është e domosdoshme që të thirret Këshilli i Përgjithshëm dhe aty të propozohet përbërja e Kryesisë së re. Nuk e kuptoj pse është vonuar kaq gjatë me gjithë këto zhvillime politike nëpër të cilat po kalojmë. Është e domosdoshme që përbërja e re e Kryesisë të jetë gjithëpërfshirëse. Unë pres që kjo të ndodh së shpejti”, ka vlerësuar Hoti.









