Një hotel që dikur simbolizonte ëndrrën dhe suksesin e tre vëllezërve, sot është kthyer në arsyen që i përçau.
Gani, Beqir dhe Rexhep Zeka nga Prishtina, për vite të tëra punuan krah për krah gjersa ndërtonin pasuri me mundin dhe besimin e ndërsjellë.
Në vitin 2003, ata blenë një tokë pranë Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, në Sllatinës, ku në vitin 2009 ngritën një hotel, fryt i sakrificës së tyre të përbashkët.
Por sot, ajo pronë e përbashkët po shfrytëzohet vetëm nga njëri prej tyre – Rexhep Zeka.
Gani dhe Beqir Zeka pretendojnë se për 16 vjet, Rexhepi ua ka mohuar të drejtën mbi pronë, duke i përjashtuar plotësisht nga përfitimi i saj.
Për vite të tëra, ata kanë shkelur pragjet e gjykatave, duke luftuar për atë që thonë se është e drejta e tyre legjitime.
Djali i Ganit, Arben Zeka, rrëfen për humbjet e mëdha financiare që kanë pësuar gjatë kësaj periudhe të gjatë pritjeje dhe padrejtësie.
Arben Zeka rrëfen se tashmë nuk kanë asnjë kontakt me Rexhepin, i cili madje ka vendosur sigurim në hyrje të hotelit, për të mos i lejuar të afrohen.
Avokati Ekrem Agushi, që përfaqëson Gani e Beqir Zekën, thotë se prona po shfrytëzohet në mënyrë të paligjshme nga Rexhepi.
Ai shprehet i habitur sesi Gjykata Supreme lejoi kthimin e lëndës në rigjykim pas kërkesës së Rexhepit për rishqyrtim.
Agushi thotë se gjykata ka mjaftueshëm prova e dëshmitar të cilët dëshmojnë se toka është blerë me kontributin e të gjithëve.
Dokumentet e siguruara nga Kiks Kosova tregojnë qartë: kontrata e shitblerjes dhe leja e ndërtimit janë në emër të tre vëllezërve Zeka.
Prona ndodhet në Lipjan, pranë aeroportit, dhe është blerë në vitin 2003, ndërsa hoteli përfundoi në vitin 2009.
Sot, ëndrra që dikur i bashkonte, është kthyer në mallkim që i ndan.
Dhe pas 16 vitesh përplasje, beteja për drejtësi ende nuk ka përfunduar.






