Portieri i njohur holandez, Tim Krul, ka vendosur ta mbyllë me futbollin e luajtur. Nëpërmjet një mesazhi në rrjetet sociale, ai bëri të ditur se tashmë kishte ardhur koha që të varte dorashkat në gozhdë, pasi mbylli karrierën e tij mjaft të suksesshme si portier me klubet dhe ekipin kombëtar.
Portieri 37-vjeçar, i cili bëri emër në Angli me fanelën e Njukasëllit dhe Noruiçit, duke luajtur mbi 300 ndeshje me këto ekipe, do të kujtohet gjithsesi për një nga momentet më epike në historinë e Kupës së Botës.
Bëhet fjalë për çerekfinalet e edicionit të vitit 2014, kur trajneri i Holandës, Luis Van Gal, hodhi në fushë gardianin në minutën e 120 në vend të titullarit Cilesen, pasi skuadrat po shkonin drejt penalltive. Kjo ishte hera e parë në histori që një portier zëvendësohej para penalltive dhe për të gjithë ishte një çudi e madhe.
Por Krul bëri mrekullinë duke pritur dy penallti të Kosta Rikës duke ndihmuar Holandën të shkonte në gjysmëfinalet e turneut, edhe pse, siç pranoi më vonë, kishte qenë thjesht një rreng psikologjik për kundërshtarët, pasi ai nuk e cilësonte veten një ekspert për pritjen e penalltive.








