Shkruar nga Spartak Ngjela
Historia e Shqipërisë është një histori me shumë të papritura. Nga viti 1912 deri në Luftën e Dytë Botërore, në Shqipëri u ndie thellë humbja e territoreve shqiptare të shtetit të ri shqiptar, të cilat u morën nga fqinjët: Greqia dhe Jugosllavia. Megjithatë, nuk ka qenë një kohë pa rrezik për këta fqinjë, sepse pavarësia e Shqipërisë i shqetësoi shtetet kufitare, të cilat mbanin ende nën pushtim territore dhe popullsi shqiptare. Me pavarësinë e Shqipërisë, shqiptarët morën vetëm një të tretën e territoreve të tyre. Ky ka qenë konflikti i ashpër i shqiptarëve gjatë historisë së tyre të vështirë, sepse fuqitë e mëdha, me përjashtim të Austrisë dhe Gjermanisë, kanë synuar t’i zhdukin shqiptarët si popull.
Megjithatë, shqiptarët ditën të rezistonin nën udhëheqjen e krerëve të tyre. I pari që duhet përmendur është Ismail Qemali, i ndjekur nga të gjithë ata që vazhduan mbrojtjen e shqiptarisë. Në Shqipëri erdhën të gjitha figurat e mëdha kombëtare. Kulmi i kësaj historie pas Luftës së Parë Botërore u arrit me revoltën e vitit 1924, e cila solli në pushtet shqiptarin më të ditur të të gjitha kohëve, Fan Stilian Nolin. Por qeveria e tij u përmbys shpejt, sepse fuqia mendore e Fan Nolit trembi Jugosllavinë, Greqinë dhe Francën. Të frikësuar nga shqiptaria që po ngrihej, ata rrëzuan qeverinë e Fan Nolit.
Pas tij, Shqipëria kurrë nuk pati një skemë të qartë zhvillimi. Ahmet Zogu, që erdhi në pushtet pas Fan Nolit, nuk kishte aftësinë për të kuptuar historinë e Evropës. Mbretërimi i tij nuk arriti të japë një impuls zhvillimi: Shqipëria mbeti pa rrugë të shtruara dhe pa prodhim industrial, sepse nuk u krijuan investime të mëdha për ngritjen e kapaciteteve industriale dhe bujqësore moderne, as në industri, as në bujqësi.
Në vitin 1939, Ahmet Zogu u rrëzua nga froni për shkak të pushtimit që Italia fashiste i bëri Shqipërisë. Qeveria e Ahmet Zogut nuk organizoi asnjë sistem mbrojtës kundër pushtimit italian. Kjo ka mbetur një njollë turpi historik për mbretërinë shqiptare të Ahmet Zogut. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste shkaktoi revolta të armatosura, të cilat nuk dhanë rezultate të rëndësishme derisa Partia Komuniste e Shqipërisë shfrytëzoi rastin dhe nisi Luftën Popullore për çlirimin e Shqipërisë nga pushtimi italian.
Këtu fillon historia e gjatë 40-vjeçare e komunizmit në Shqipëri, e cila zgjati nga viti 1939 deri në vitin 1944. Në vitin 1945, në Shqipëri u vendos realisht një shtet komunist, dhe historia e Shqipërisë hyri në një diktaturë komuniste. Megjithatë, deri më sot, Shqipëria ende nuk e ka shkruar plotësisht këtë histori, dhe për këtë arsye, historia e saj ka mbetur e ngrirë dhe jashtë optikës së një studimi me karakter evropian. Shqiptarët janë duke e pritur një histori të tillë, në një kohë kur sot në Gadishullin Ilirik ekzistojnë dy shtete të pavarura shqiptare: Shqipëria dhe Kosova. Ky është një sukses i madh historik për të gjithë shqiptarët, por historia ende pret marrëveshje të mëdha mes parlamenteve të këtyre dy shteteve shqiptare. Kjo është një kërkesë e madhe e historisë që po vjen dhe një detyrim moral kombëtar dhe historik.






