Christopher Hill, në dëshminë e tij në Hagë si i ftuar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi, ka deklaruar se takimi i atëhershëm ndërmjet presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, dhe presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ishte inkurajuar nga amerikanët.
Ai ka dhënë detaje nga takimi në Prishtinë, ku ishte i pranishëm bashkë me diplomatin Richard Holbrooke.
“Kjo ishte hera e parë kur ambasadori Holbrooke shkoi në Prishtinë, shkova edhe unë me të dhe ne u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar paraprakisht, ambasadori Holbrooke mendoi se do të ishte ide e mirë nëse z. Rugova do të takohej me z. Millosheviq në Beograd”, deklaroi diplomati amerikan.
Hill tha se ai ishte më skeptik rreth këtij takimi, por theksoi se Holbrooke mendonte se i njëjti mund të zgjidhte shumë çështje.
Sipas tij, ky takim e dëmtoi Rugovën, pasi kundërshtimi ndaj tij u rrit.
“Mendoj se është e drejtë të themi se kjo ishte çështje analize e mendimi, për të cilën unë mund të flas. E dëmtoi Rugovën, nuk mendoj se kishte mendim të fuqishëm në Kosovë për takimin me Millosheviqin. Njerëzit nuk mendonin se takimi mund të ndihmonte. Ai ishte i shqetësuar nëse ishte ide e mirë, por nuk donte të gjendej në situatën ku refuzonte një sugjerim të tillë nga Holbrooke. Rugova ishte udhëheqësi joformal i Kosovës, dhe kundërshtimi ndaj tij po rritej, sepse kishte përshtypje që nuk po arrinte progres”, tha Hill.






