Presidenca dhe Qeveria kanë pasur një mospajtim lidhur me një gur minerar të Trepçës, të destinuar për t’ia dhënë presidentit amerikan, Donald Trump. Qeveria kishte refuzuar t’ia japë këtë gur minerar Vjosa Osmanit, e cila synonte t’ia dhuronte Trumpit në Bordin e Paqës. Kjo, nën arsyetimin se koha e kërkesës dhe realizimit është e shkurtër.
Siç raporton Gazeta, Ministria e Ekonomisë ka refuzuar t’ia japë Presidencës një gur minerar të ndërmarrjes “Trepça”, të cilin presidentja Osmani kishte planifikuar të i dhuronte presidentit të SHBA’së, Donald Trump, në ceremoninë e inaugurimit të “Bordit të Paqes”.
Më 17 shkurt, në ditë para se presidentja Osmani të niset për më Uashington, Presidenca i kishte shkruar Muzeut të Kosovës për mundësinë e dhurimit të një guri të “Trepçës”.
Për dhurimin e një guri të tillë, muzeu kishte kërkuar aprovimin e Ministrisë së Ekonomisë.
Më pas, Presidenca iu kishte drejtuar Ministrisë së Artane Rizvanollit.
Në kërkesën e Presidencës, tregohen arsyet se pse po kërkohet dhurimi i këtij guri.
“Në funksion të realizimit të nevojave shtetërore dhe duke u bazuar në interesin publik, ju drejtohemi me këtë kërkesë për të shqyrtuar mundësinë e dhënies në pronësi të një guri minerar nga Ndërmarrja “Trepça”, për qëllime shtetërore(te bashkangjitur keni ne fotografi). Ky gur minerar do të shërbej ekskluzivisht për përmbushjen e nevojave protokollare. Duke ju falënderuar paraprakisht për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj, mbetemi në pritje të përgjigjes suaj”, është thënë në kërkesën e Presidencës për Ministrinë e Ekonomisë.

Drejtori i Departamentit të Minierave, Skender Sallahi, i ishte përgjigjur Presidencës, duke thënë se nuk mund të realizohet kërkesa e tyre.
Aty tregohet pse nuk mund të pranohet kërkesa e shefes së shtetit.
“Te nderuar bazuar ne kohën e shkurtër për te ndërmarr hapat ligjor për realizimin e kësaj çështje ju kërkojmë mirëkuptim për pamundësinë e realizimit të kësaj kërkese. Duke ju kërkuar mirëkuptim ju shpreh gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen”, është thënë në përgjigjen.









