Ditën e djeshme u vendos që Kosovës t’i hiqen masat e vendosura nga Bashkimi Evropian.
Edhe Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar ndaj kësaj, duke mirëpritur vendimin e Bashkimit Evropian.
Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës ka qëndruar vazhdimisht në qëndrimin se këto masa ishin të padrejta që nga fillimi.
Sipas tij, masat ndëshkuan Kosovën për përçarje që, siç u shpreh, ishin të orkestruara nga Serbia.
Duke folur për marrëdhëniet me Bashkimin Evropian, Kurti theksoi se Kosova, gjatë gjithë kësaj periudhe, ka mbetur plotësisht e përkushtuar ndaj BE-së, përmbushjes së kritereve për anëtarësim dhe ruajtjes së rolit të saj si aleate e përkushtuar dhe mbështetëse e vlerave demokratike. Ai ritheksoi se orientimi evropian mbetet një nga prioritetet kryesore të institucioneve të Kosovës.
“E mirëpresim vendimin e BE-së për të hequr masat e vendosura ndaj Kosovës. Qeveria jonë ka pohuar vazhdimisht se këto masa ishin të padrejta që nga fillimi, pasi ato sanksionuan Kosovën për përçarjet e orkestruara nga Serbia – një axhendë që çoi gjithashtu në sulme të shumta të mëdha terroriste në territorin tonë, duke përfshirë sulmin fatal në Banjska dhe një tjetër në Ibër-Lepenc që synonte infrastrukturën kritike. Gjatë gjithë kësaj periudhe, ne kemi mbetur plotësisht të përkushtuar ndaj Bashkimit Evropian, për përmbushjen e kritereve për anëtarësim dhe për të vazhduar si aleatë të përkushtuar dhe kampionë të vlerave demokratike,” ka shkruar Kurti në “X”.








