Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka komentuar reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj qeverisë në detyrë të Albin Kurtit, duke theksuar se sinjali i Uashingtonit duhet të dëgjohet nga presidentja dhe Kuvendi i Kosovës.
“Ka tri vjet që aleati më i madh dhe mbështetësi i pakusht, SHBA, ka nënvizuar marrëdhëniet e pakushtëzuara, mbështetjen e pakushtëzuar dhe progresin e dëshiruar për popullin e Kosovës. Por, ka kërkuar në mënyrë decidive veprime të qeverisë për të gjithë qytetarët e saj, e cila e solli punën deri këtu: Populli mbetet i mbrojtur nga qeveria amerikane, por jo kjo Qeveri dhe kryeministri në detyrë kabineti i tij.”, ka shkruar Haziri në “Facebook”.
Ai ka shtuar se mesazhi i SHBA-ve për qeverinë Kurti nuk mund të injorohet.
“Kjo ‘shuplakë’ e Uashingtonit duhet të dëgjohet shumë. Duhet ta dëgjoj presidentja e para, por edhe Kuvendi. Roli historik dhe amaneti i përhershëm është: marrëdhënie speciale me SHBA-të. Duhet veprim për të ruajtur këtë mision. ‘Ku e lamë, e ku na mbeti’!.”, ka theksuar tutje ai.










