Haziri: Që kur e prezantoi Sejdiun si kandidat për president, Abdixhiku e dinte që nuk i kishte votat e LDK-së

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka zbuluar detaje nga negociatat mes Lumir Abdixhikut, Vjosa Osmanit dhe Albin Kurtit për gjetjen e një kandidati konsensual për presidentin.

Haziri ka thënë se Lumir Abdixhiku, që në momentin kur prezantoi Bekim Sejdiun si kandidat për president, e dinte se nuk i kishte të gjitha votat e nevojshme të deputetëve të LDK-së.

“Po, dhe para atij takimi, në bisedë me Abdixhikun, nuk është çështje e orëve, e ditëve. E kam thënë që bashkëpunimi në GP e determinon bashkëpunimin me partnerë të tjerë, në këtë rast me VV-në. Nëse nuk e arrijmë të ndërtojmë unitet funksional dhe të besueshëm, LDK-ja duhet ta ketë parasysh se nuk mund të përballohet në procese të tjera”, tha ai.

Por një nga detajet më interesante të rrëfimit të Hazirit lidhet me vetë kandidaturën e Bekim Sejdiut. Sipas tij, Sejdiu nuk ishte vetëm propozim i LDK-së, por edhe i Lëvizjes Vetëvendosje.

“Edhe i LDK-së ka qenë, jo vetëm i LDK-së. Modeli që e kemi përcaktuar ka qenë ky: secila palë nga tri propozime, së paku në biseda, dhe më pas së bashku të determinojmë një emër. LDK-ja ka dalë me tri propozime, VV-ja me 10 propozime. Nga 13 propozime, vetëm një emër ka qenë në dy lista i përfshirë dhe kjo ka qenë përcaktuese”, tha Haziri.

Deklaratat e tij bien në kontrast me mënyrën se si kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, e kishte paraqitur kandidaturën e Sejdiut.

Në një intervistë të dhënë para pak ditësh në Kanal 10, Abdixhiku e kishte cilësuar Sejdiun si “LDK në thelb”, ndërsa kishte thënë se kishte pasur frikë që Vetëvendosje mund të tërhiqej nga marrëveshja në momentin e fundit.


“Bekim Sejdiu është LDK në thelb, rugovist në bindje”, tha Abdixhiku.

“Kam pasur frikë se në momentet e fundit Lëvizja Vetëvendosje do ta prishte marrëveshjen”, deklaroi ai.

Ndërkohë, përplasjet brenda LDK-së rreth kësaj kandidature kanë qenë publike. Abdixhiku në vazhdimësi ka kritikuar gjashtë deputetë të partisë së tij, të cilët kanë deklaruar se nuk e përkrahin Bekim Sejdiun për president, duke ua atribuar atyre përgjegjësinë në rast se vendi shkon në zgjedhje.

Por sipas Hazirit, numri i deputetëve që kanë hezitime rreth marrëveshjes është më i madh.

“Më e rëndësishme është LDK-ja për mua sesa një emër i përveçëm. Pse duhet ta japim LDK-në për një emër, pse duhet të bëhet më i vlefshëm një emër se 10 vetë? Nuk ka këtu gjashtë vetë, janë edhe gjashtë të tjerë me hezitime serioze që bëjnë 12”, tha ai.

/GazetaKosova/

- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - Ariani Companyspot_imgspot_img
- MARKETING - spot_imgspot_img

Te Veqanta

Social Media

- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING -spot_img
- MARKETING - Vipa Chipsspot_img

Lajmet e Fundit