Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka deklaruar se nuk do të japë votën e tij për shpërndarjen e Kuvendit, duke kundërshtuar idenë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja në këtë fazë të krizës institucionale.
“Unë nuk jap votë për shpërndarje. Kosova s’ka komoditet të shkojë në zgjedhje për shkak të kërkesave dhe egove të liderëve politikë, në këtë rast të liderit të partisë së parë, për agjenda të fshehta politike,” tha Haziri.
Ai shtoi se mbajtja e zgjedhjeve të reja çdo tre muaj kushton rreth shtatë milionë euro dhe se “Kosova nuk është e pasur për të harxhuar” këtë shumë për interesa të ngushta politike. Haziri kritikoi ashpër edhe disa deputetë që, sipas tij, kanë hyrë në Kuvend “përmes vjedhjes së votave” dhe janë të gatshëm të përfshihen në “aranzhmane të tilla”.






