Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu e konsideron të paprecedent faktin se Gjykata Speciale nuk i jep llogari asnjë institucioni në Kosovë.
Ajo thotë se patjetër vendi ynë duhet ta krijojë një mekanizëm mbikëqyrës ndërkombëtarë apo vendor për Dhomat e Specializuara, veçanërisht në aspektin e të drejtave të personave të akuzuar.
Haxhiu në një intervistë për KosovaPress ka folur edhe për rezistencën që hasën për të jetësuar reformat në sistemin e drejtësisë, synimet edhe për një mandat qeverisës dhe nevojën për shpalljen e konkursit të ri për kryeprokurorin e shtetit.
E para e drejtësisë në vend thotë se për gjithçka që ka ndodhur në Hagë i kanë adresuar në kuadër të takimeve me krerët e këtij institucioni të drejtësisë. Por, siç shprehet ajo përveç kësaj nuk kanë asnjë kompetencë tjetër.
Ministrja Haxhiu ka deklaruar se kanë hasur në rezistencë nga opozita për të çuar përpara reformën në sistemin e drejtësisë.
Vonesat e Kushtetueses për ministren Haxhiu janë tendencioze dhe synim të vetëm kanë prolongimin e reformës në drejtësi.
Dërgimin për herë të dytë në Kushtetuese nga PDK-ja të Ligjit të Byrosë për Konfiskimin dhe Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ministrja e Drejtësisë e quan plan të kësaj partie opozitare për të mos dhënë llogari për pasurinë e fituar sa ishin në qeverisje.
Në intervistën për KosovaPress, ministrja e Drejtësisë ka shprehur kritikat e saj për Këshillin Prokurorial dhe qasjen karshi përzgjedhjes së kryeprokurorit të shtetit, pozitë kjo e cila për më shumë se dy vjet ka mbetur me ushtrues detyre. Sipas saj, KPK-ja duhet sa më shpejt të shpallë konkurs të ri për këtë pozitë.
Ndërkohë që nga fushata zgjedhore na ndajnë edhe pak ditë, ministrja Haxhiu e cila është edhe anëtare e kryesisë në Vetëvendosje beson se kjo parti do ta udhëheqë vendin edhe për një mandat.








