Vjosa Osmanit i ka përfunduar mandati pesëvjeçar si presidente e Kosovës të shtunën, dhe ajo ia ka dorëzuar detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiut.
Osmani në fjalën e saj tha se ka qenë një prej dëshirave të saj që kur të largohet nga ky post, ta lë prapa një grua. Ajo tha se shpreson që vendi sa më parë ta zgjedhë presidentin e ri.
Ndërkaq, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, është zotuar se gjatë ushtrimit të detyrës si presidente do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, duke theksuar se e kupton përgjegjësinë dhe obligimet kushtetuese që ka marrë.
Haxhiu theksoi se Kushtetuta nuk i lejon të qëndrojë më shumë se gjashtë muaj në detyrën e ushtrueses së detyrës së presidentes dhe shprehu shpresën që Kuvendi ta zgjedhë sa më shpejt presidentin e ri, duke theksuar se zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët dhe as për shtetin.
Ajo bëri thirrje deputetëve që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për çështjen e presidentit, duke lënë anash dallimet dhe inatet politike.
“Zgjedhjet nuk janë të mira as për qytetarët, as për shtetin. I bëj thirrje deputetëve që sa më parë të ketë një zgjidhje për çështjen e presidentit. T’i lënë anash dallimet politike, inatet politike, t’i vazhdojnë pasi ta zgjedhin presidentin”, shtoi Haxhiu.









