Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, ka deklaruar se aktgjykimi i fundit i Gjykatës lidhur me moskonsistutimin e Kuvendit nuk është i qartë për politikën, për laikët dhe për adresuesit e tij. Sipas tij, problemi kryesor nuk qëndron vetëm në arsyetim, por në dispozitivin e vendimit – pra, në pjesën që përcakton konkretisht çfarë duhet të ndodhë.
“Ajo çka ka qenë e qartë, ka qenë e qartë. Por në këtë rast, aktgjykimi nuk është i qartë as konceptualisht. Nëse marrim shembullin e vendimit për rastin Pacolli, aty ishte e qartë se kujt i referohej – Jakup Krasniqit si ushtrues detyre. Pra, për hir të qartësisë dhe koherencës, është dashur të thuhet saktësisht çfarë kërkon Kushtetuta në këtë rast, duke u bazuar në nenin 90”, tha Hasani.
Ai theksoi se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk ekzekutohen në të njëjtën mënyrë si ato të gjykatave të rregullta, ku shteti ka mjete të drejtpërdrejta ekzekutive si dënimi penal apo ndalimi me burg.










