Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, pas takimit që pati dje më kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partitë politike pas zgjedhjeve duhet të angazhohen për formimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit me kohë.
Për Haradinajn, i cili është në fund të mandatit të tij në krye të partisë që e udhëhoqi me vite, Hargreaves tha se ai ka pasë një rol të rëndësishëm në politikën kosovare.
“Diskutim i mirë dje me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit. Ramush Haradinaj ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën politike të Kosovës ndër vite, duke kontribuar në zhvillimin demokratik dhe forcimin e institucioneve të vendit. Ndërsa Kosova po shkon drejt zgjedhjeve, do të jetë e rëndësishme që partitë politike të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe më pas të bashkëpunojnë për formimin e një qeverie stabile dhe për të siguruar zgjedhjen me kohë të Presidentit”.
Hargreaves tha se përparimi demokratik i Kosovës varet nga bashkëpunimi, dialogu dhe përkushtimi i përbashkët për të ardhmen e vendit.









