Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti ka qenë shkuarja në zgjedhje, duke vlerësuar se aktualisht vendi po shkon drejt tyre.
Haradinaj ka thënë se, pavarësisht situatës politike, deputetët do të duhej ta miratonin deklaratën kundër vendimit të Gjykatës Speciale dhe, sipas tij, të bashkoheshin me qytetarët në kundërshtimin e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Dihet se qëllimi ka qenë shkuarja në zgjedhje dhe jemi në zgjedhje realisht, pasi çdo gjë po shkon drejt zgjedhjeve. Por do të ishte e turpshme që t’i lëmë këto ditë pa i shfrytëzuar për t’u bërë bashkë me popullin, bashkë me zërin e qytetarëve ‘jo në emrin tonë’ ky verdikt”, është shprehur Haradinaj.
Ai ka treguar gjithashtu se AAK-ja ka refuzuar takimin me Kurtin, duke pretenduar se kryeministri i ka ftuar liderët e opozitës në takime, por më pas i ka lënë pa marrëveshje.
“I ka ftuar në takime, i ka tallur dhe në fund i ka lënë pa marrëveshje”, ka deklaruar Haradinaj para fillimit të seancës plenare.








